Last Updated on 07/08/2025 by adminfjala
Në një botë ku media është vendosur të mbrojë të vërtetën, të informojë dhe të ngrejë zërin për drejtësi, në Shqipëri kemi krijuar një specie të veçantë: media zhvatëse. Këto portale, të cilat me naivitet i sheh sikur janë vendosur për të ndihmuar dhe për të informuar publikun, kanë zgjedhur një karrierë shumë më të lehtë: gjobat. Po, po, gjobat! Sepse, përse të merresh me gazetari të ndershme, kur mund të jesh parazit që ushqehesh vetëm me gjoba ndaj bizneseve të ndershme?
Si për të na treguar se nuk kanë turp fare, këto media që nuk paguajnë as gazetarët e tyre (se për çfarë do të paguash kur ke një burim të sigurt të ardhurash nga gjobat), kanë arritur kulmin e poshtërimit. Rasti i fundit, apo më mirë të themi më i turpshmi në historinë e tyre, ishte një mjeshtëri e shpikjes. Një portal i madh, i cili duket se ka mësuar çdo teknikë të zhvatjes, sipas të gjitha gjasave, duket se krijoi një histori nga hiçi: një njeri anonim, pa emër e pa fytyrë, mbante një shishe uji me kripë brenda. Mrekulli!
Po pse na duhej kjo histori? Thjesht për të kuptuar si goditet biznesi i ndershëm shqiptar. Po ku ka parë njeri që një shishe uji e hapur të përdoret si provë? Epo, vetëm në Shqipëri, ku media jo vetëm që shpik, por edhe shet shpikje me çmimin e gjobës.
Për këtë ngjarje të turpshme reagoi edhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, i cili i ka cilësuar këto denoncime si sulme të qëllimshme dhe inskenime, vetëm për të dëmtuar imazhin e kompanisë në fjalë. Të njëjtat histori janë shpikur me qëllime dashakeqëse për prodhuesit e bylmetit.
Në Europë, ku gazetaria ka standarde dhe respekt, nuk ekzistojnë praktikë të tilla. Por ne kemi ngritur një art të veçantë: zhvatjen mediatike. Shpikje e re shqiptare, ku medias i duhet vetëm një burim të ardhurash: gjoba ndaj biznesit të ndershëm.
Në fund, nëse nuk të pëlqen produkti vendor, thjesht mos e bli, mos e përdor, por mos shpif dhe mos tento ta vrasësh me gjoba! Media nuk është makinë gjobash, por shtëpi e së vërtetës. Kush janë viktimat e mediave zhvatëse që shpikin lajme? Dy kategori: blerësit dhe mijëra-mijëra punonjës nga pas, që jetojnë me punë të ndershme. m.p.
