Last Updated on 22/08/2025 by adminfjala
56-vjeçari bullgar, drejtues i kamionit që shkaktoi aksidentin e rëndë ku humbën jetën 3 shqiptarë në Greqi, është arrestuar nga policia.
Mësohet se pas daljes nga spitali ditët e fundit, i dyshuari u paraqit sot para autoriteteve gjyqësore greke. Sipas mediave vendase, deklarimet e tij për pafajësi nuk bindën hetuesin dhe prokurorin, të cilët vendosën masën e sigurisë me burg pa afat.
Kujtojmë se drejtuesi i kamionit akuzohet për vrasje nga pakujdesia, lëndime trupore dhe drejtim të rrezikshëm të mjetit.
Aksidenti ndodhi rreth 600 metra para pikës së pagesës, kur kamioni u përplas me dy automjete që ndodheshin të ndaluara në radhë. Përplasja ishte aq e fortë sa automjeti i parë shpërtheu në flakë, duke lënë të vdekur në vend tre persona, një çift 59 dhe 57 vjeç dhe një tjetër viktimë 61-vjeçare, të gjithë nga Shqipëria.
Rezultatet e analizave toksikologjike pritet të publikohen në ditët në vijim për të zbuluar nëse drejtuesi i kamionit kishte konsumuar alkool. Ndërkohë, është caktuar edhe një ekspert teknik për të përcaktuar saktësisht shpejtësinë me të cilën lëvizte mjeti në momentin e përplasjes. m.p.
