Last Updated on 30/08/2025 by adminfjala
Një stuhi e madhe me erë dhe shi ka ‘goditur’ Tiranën gjatë këtyre minutave.
Në rrugën e Kavajës në Tiranë, për shkak të erës së fortë pemët në anë të rrugës kanë rënë mbi një automjet.
Ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar, ndërsa në zonë është vështirësuar qarkullimi i automjeteve.
Po ashtu edhe Durrësi është përfshirë pasditen e sotme nga një stuhi e fortë me erë dhe reshje të dendura shiu, duke sjellë një ndryshim të menjëhershëm të kushteve atmosferike dhe duke detyruar qytetarët dhe pushuesit të largohen nga plazhet.
Për vetëm pak minuta, moti i keq ka ndërprerë aktivitetet e pasdites dhe ka prishur planet e vizitorëve që po shijonin ditët e fundit të gushtit në bregdet. Plazhet janë zbrazur, ndërsa shumë pushues janë detyruar të futen nëpër ambiente të mbyllura për t’u strehuar nga era dhe reshjet.
Ndërkohë shërbimet meteorologjike kanë parashikuar që dita e sotme dhe mëngjesi i ditës së nesërme të shoqërohen nga moti i keq.
Një situatë e tillë paraqet rrezik për qytetarët, të cilët këshillohet të mos dalin nga shtëpia, nëse nuk kanë arsye të fortë.
Po ashtu, edhe drejtuesit e mjeteve duhet të rrisin vigjilencën dhe të tregohen tejet të kujdesshëm, në mënyrë që të shmangin aksidentet e mundshme./kb
