Last Updated on 08/09/2025 by adminfjala
Lufta e Dytë Botërore
Në verën e vitit 1943, pas zbarkimit të aleatëve në Siçili dhe përparimit të tyre në Itali, regjimi fashist i Benito Musolinit u shemb. Më 25 korrik 1943, Musolini u rrëzua nga pushteti dhe u arrestua, ndërsa në krye të qeverisë italiane u vendos marshalli Pietro Badoglio. Italia, e rraskapitur nga lufta, kërkonte një dalje nga aleanca me Gjermaninë naziste.
Qeveria e re italiane nisi negociatat e fshehta me Aleatët dhe më 3 shtator 1943 u nënshkrua Armëpushimi i Kasibilit në Sicili, nga gjenerali italian Giuseppe Castellano dhe gjenerali amerikan Walter Bedell Smith (shef shtabi i gjeneralit Eisenhower).
Shpallja publike
Edhe pse u nënshkrua më 3 shtator, armëpushimi u mbajt i fshehtë për disa ditë. Vetëm më 8 shtator 1943, në orën 18:30, gjenerali Dwight D. Eisenhower e shpalli publikisht në radio nga Aleatët, dhe pak më vonë edhe Badoglio konfirmoi lajmin me një fjalim të shkurtër:
“Italia ka kërkuar dhe ka pranuar një armëpushim me Aleatët. Si rrjedhojë, çdo akt armiqësie kundër forcave anglo-amerikane duhet të ndërpritet.”
Pasojat e menjëhershme
Gjermania reagoi me shpejtësi. Komanda gjermane OB Süd (Oberbefehlshaber Süd) nën drejtimin e feldmarshallit Albert Kesselring aktivizoi menjëherë planet e koduara “Achse” për çarmatosjen e ushtrisë italiane. Brenda pak ditësh, trupat gjermane pushtuan pozicionet strategjike të Italisë dhe morën kontrollin ushtarak të shumicës së vendit.
Çarmatimi i italianëve
Qindra mijëra ushtarë italianë u kapën robër nga gjermanët, shpesh pa rezistencë, dhe u internuan në kampet e punës. Rreth 650 mijë italianë u dërguan në Gjermani si “të internuar ushtarakë”.
Mbreti dhe qeveria italiane ikin
Më 9 shtator, mbreti Viktor Emanuel III dhe Badoglio u larguan fshehurazi nga Roma dhe shkuan në Brindisi, në territorin tashmë të kontrolluar nga Aleatët. Kjo braktisje u pa nga shumë italianë si akt tradhtie.
Italia ndahet në dy pjesë
Në jug, Aleatët përparuan dhe themeluan Mbretërinë e Jugut të lidhur me qeverinë e Badoglios.
Në veri, gjermanët çliruan Musolinin nga arresti (operacioni “Eiche” – Gran Sasso) dhe e vendosën në krye të Republikës Socialiste Italiane me qendër në Salò.
Fillimi i Luftës Civile Italiane
Nga shtatori 1943 deri në prill 1945, Italia u përfshi në një luftë të brendshme të përgjakshme mes forcave partizane antifashiste, trupave të Badoglios dhe gjermanëve e fashistëve të Salòs.
Rëndësia historike
Armëpushimi i Kasibilit ishte një nga kthesat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore. Ai shënoi daljen e Italisë nga boshti, por gjithashtu hapi një periudhë kaotike: kapitullim pa kushte, pushtim gjerman, përçarje kombëtare dhe shkatërrim i vendit deri në fund të luftës.
Përgatiti: L.Veizi
