Cilët janë ministrat më jetëgjatë dhe më jetëshkurtër në tre mandatet e para të Ramës

Nga dita e parë në shtatorin e vitit 2013 e deri sot, kur përgatitet të shpallë kabinetin e ri të mandatit të katërt qeverisës, kryeministri Edi Rama është dalluar për një stil unik drejtimi: mbajtjen e pushtetit pa kompromis dhe rotacionin e vazhdueshëm të ministrave. Me mbi 42 ndryshime të bëra në kabinet përgjatë tri mandateve, asnjë kryeministër më parë në vendin tonë nuk ka eksperimentuar kaq shumë me figurat politike dhe teknike, shpesh duke testuar dhe të rinj pa përvojë politike.

Disa prej ministrave të emëruar gjatë këtyre viteve u larguan pa zhurmë, ndërsa të tjerë u kthyen në pjesë thelbësore të qeverisjes. Por cilët janë ata ministra që kanë rezistuar më gjatë në detyrë?

Ministrat më jetëgjatë

Në më shumë se një dekadë qeverisje (12 vjet), vetëm pesë figura kanë qenë të pranishme në të gjitha qeveritë e Ramës.

Mirela Kumbaro – Me karrierë të qëndrueshme në Kulturë dhe më pas në Turizëm, ka qëndruar plot 9 vite e 4 muaj.

Niko Peleshi – Ka mbajtur disa poste, përfshirë Zëvendëskryeministër, Bujqësi dhe Mbrojtje, duke qëndruar plot tetë vite e 11 muaj.

Ogerta Manastirliu – Ministre që nga viti 2017, nga Shëndetësia në Arsim, ka qëndruar tetë vite e gjashtë muaj në kabinetin qeverisës.

Bledi Çuçi – Me eksperiencë në tre ministri të ndryshme, ka qëndruar plot tetë vite e dy muaj.

Arben Ahmetaj – Një nga më jetëgjatët, derisa u largua pas polemikave pas 8 vitesh pjesë e kabimetit.

Ministrat më jetëshkurtër

Në një qeveri me kaq shumë lëvizje, disa ministra nuk qëndruan më shumë se disa muaj, ata janë:

Petrit Vasili – vetëm 7 muaj ministër Drejtësie në fund të mandatit të parë.

Lexo edhe :  Berat, serat me kanabis/ Kalon për gjykim dosja e 17 të pandehurve

Ervin Mete – 10 muaj në Ministrinë e Financave.

Ilirjan Celibashi – rreth një vit si ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Modeli i rotacionit të shpeshtë dhe përfshirjes së emrave jo tradicionalë, po aq sa është kritikuar edhe e ka ndihmuar Ramën të mbajë në kontroll pushtetin dhe të ruajë ritmin e një qeverisjeje që riformatohet sipas nevojës dhe momentit politik. Me kabinetin e katërt që pritet të shpallet këtë të enjte, mbetet për t’u parë nëse Rama do të ndjekë të njëjtën linjë apo do të përpiqet të ndërtojë një ekip më të qëndrueshëm në finishin e një epoke që tashmë ka hyrë në historinë politike të vendit./kb