Last Updated on 13/09/2025 by adminfjala
Pas Thethit, aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë edhe në Parkun Kombëtar të Valbonës. Prej 3 ditësh, fadromat e IKMT-së kanë zbritur në terren dhe po prishin objekte pa leje, mes tyre bujtina prej druri, por edhe objekte me strukturë betoni.
Në këto pamje mund të shihni momente nga aksioni dhe ndërtesat pa leje të rrafshuara nga IKMT. Kjo e fundit thotë se më datë 11 shtator janë prishur në total 8 objekte pa leje, ndërsa dje ka vijuar puna për prishjen e 12 objekteve të tjera pa leje.
Aksioni i ditës së sotme ka përfshirë tre bujtina druri të ndërtuara nga banorët vendas, pranë hyrjes së Parkut Kombëtar të Valbonës, ndërsa nuk dihet numri në total i objekteve që do të shemben.
Kjo është ndërhyrja e dytë në zonat e mbrojtura, pas shembjeve masive në Theth, gjatë muajit korrik. Aksioni në Theth u shoqërua me një sërë kritikash nga kryeministri Rama për shkak të 12 kabinave pa leje të ngritura mu në zemër të Thethit, përballë Kishës simbol të zonës.
IKMT ka paralajmëruar se operacionet për lirimin e hapësirave publike do të shtrihen në të gjithë vendin./e.t
