Last Updated on 16/09/2025 by adminfjala
Pas publikimit të pamjeve nga emisioni investigativ “Stop”, ku shfaqej punonjësi i Policisë së Burgjeve, Irakli Leka, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKB) ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë një operacion të koordinuar me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Operacioni çoi në lokalizimin dhe arrestimin e Irakli Lekës, i cili mbante funksionin e Shefit të Regjimit të Brendshëm në IEVP Lushnjë. Sipas SHKB-së, ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Burime zyrtare bëjnë me dije se materialet procedurale janë referuar tashmë Prokurorisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Ky reagim i shpejtë i strukturave të kontrollit të brendshëm tregon angazhimin për të luftuar korrupsionin brenda sistemit të vuajtjes së dënimeve dhe për të garantuar integritet institucional.
