“Kam vuajtur prej një viti”, Mira Kazhani rrëfen mes lotësh betejën me kancerin e gjirit

Gazetarja e njohur Mira Kazhani ka ndarë me ndjekësit e saj një rrëfim të dhimbshëm mbi sfidën më të madhe të jetës. Përmes një videoje emocionale, ajo zbulon se prej një viti po përballet me kancerin e gjirit, duke e cilësuar periudhën si “dimri i jetës” së saj.

Kazhani tregon se ndërsa në podcaste e programe publike shfaqej e buzëqeshur dhe e fortë, pas kuintave zhvillohej një betejë e heshtur me sëmundjen. “Një vit më parë mora lajmin që çdo grua do ta quante makth”, – rrëfen ajo me lot në sy.

Gazetarja thekson se historia e saj është pasqyruar edhe në librin “Një ditë tjetër”, ku ka përmbledhur çdo përjetim dhe sfidë personale të kësaj periudhe. Ajo shprehet se i janë bërë mbështetje rrëfimet e grave të tjera që kanë kaluar të njëjtin kalvar spitalesh.

Në episodin e fundit të podcastit të saj, Kazhani ka vendosur të flasë hapur për këtë luftë, duke e quajtur atë “podcastin më të vështirë” të karrierës së saj./E.T