Pak figura historike janë kaq lehtësisht të dallueshme sa Napoleon Bonaparte, dhe një nga tiparet më ikonike të pamjes së tij ishte padyshim kapelja me dy brirë, e njohur si feluckë.
Koleksioni personal
Napoleoni zotëronte rreth 120 kapela, të gjitha të punuara nga kapelebërësi i tij personal, Poupard. Ai ishte shumë i kujdesshëm për pamjen dhe praninë e tij publike, ndaj mbante gjithmonë me vete një duzinë të tillë. Çdo vit blinte katër kapele të reja, të cilat më parë visheshin nga shërbëtorët për t’i zbutur, në mënyrë që të ishin të rehatshme për t’u përdorur në fushën e betejës.
Sot, vetëm 19 kapela origjinale të Napoleonit janë ruajtur në muze dhe koleksione private. Herë pas here, ndonjë prej tyre del në ankand. Rekordi i deritanishëm i shitjes i përket një kapelje të blerë në vitin 2023, për një shumë prej gati 2 milionë euro, nga një koleksionist privat.
Tipar dallues dhe simbolik
Kapelja e Napoleonit ishte më shumë se një aksesor — ajo ishte një simbol i identitetit të tij ushtarak dhe politik. E bërë nga felluke e zezë ose kastori, pa zbukurime të tepërta, përveç një kokarde trengjyrëshe dhe të veshur me saten, ajo mishëronte thjeshtësinë e një gjenerali që donte të dallohej mes trupave të tij — por edhe të frikësonte armiqtë.
Stili i mbajtjes: “En bataille”
Ndryshe nga oficerët e tjerë që e mbanin kapelen me majën përpara (en colonne), Napoleoni e mbante me brinjët anash, paralel me shpatullat (en bataille). Ky pozicion unik bënte që ai të dallohej lehtësisht edhe nga larg, qoftë nga ushtarët e tij, qoftë nga kundërshtarët në fushëbetejë.
Modifikime personale
Napoleoni kishte edhe kërkesa specifike për dizajnin: ai kërkonte që të hiqeshin zbukurimet tradicionale prej lëkure deleje, të cilat i konsideronte të padobishme dhe jopraktike. Për të, funksionaliteti dhe thjeshtësia kishin përparësi ndaj pompozitetit.
Një fakt për t’u mbajtur mend:
Kapelja e Napoleonit nuk ishte thjesht një pjesë veshjeje — ajo ishte pjesë e strategjisë së tij të imazhit, një mënyrë për të ndërtuar autoritet dhe karizmë, që i shërbeu po aq sa edhe armatat e tij në ndërtimin e legjendës.
Burimi: focus.it/ Shkruar nga Alberto Cammelli/ Përgatiti për botim: L. Veizi