Last Updated on 23/09/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Në çdo shikim të tij ruhet ende ëndrra e atij djaloshi që fluturonte në ujë, që ushqente shpirtin e tij me shpresën e titujve kampionë. Por pas qetësisë së syve të tij fshihet një histori e thellë dhimbjeje, një dramë njerëzore që la pas plagë të pashlyeshme. Manuel Bortuzzo është sot më shumë se një atlet i shquar, ai është një simbol i gjallë i forcës së pashtershme njerëzore në Itali. Ai është një kujtesë se jeta, edhe kur thyhet në mënyrën më të padrejtë, mund të rilindë sërish nga hiri…
…Një pasdite e zakonshme, ndërsa kanalet televizive zhbirloheshin pa shumë qëllim, u ndala rastësisht në Televizionin Shqiptar. Po shfaqej filmi “Rinascere”, apo “Rilindja”, siç është përkthyer. Ndoshta do ta kisha anashkaluar, i ndikuar nga kërkimi i zakonshëm për diçka më të lehtë dhe argëtuese, por që në sekuencën e parë, e gjeta veten përballë një akti dramatik që të prek në palcë. Pas dy orësh, i prekur thellë nga mesazhi i filmit, u detyrova të thellohesha në internet. Atëherë kuptova edhe më qartë se ngjarja nuk ishte thjesht një trillim, por një histori reale, shumë e afërt me kohët tona. Kështu u njoha me historinë e jashtëzakonshme të Manuel Bortuzzo, një histori që të shkund e të bën të reflektosh.
Ëndrra blu e një notari
Lindur më 3 maj 1999 në Trieste, Manuel u rrit mes pishinave, ku uji u bë atdheu i tij i parë. Talenti e çoi drejt Romës, në Ostia, aty ku stërviteshin kampionë të mëdhenj të notit italian. Trupi i gjatë, shpejtësia në ujë dhe disiplina e hekurt e bënë një nga shpresat më të mëdha të sportit.
Noti nuk ishte vetëm pasion, por identitet. Ai jetonte për garën, për ndjesinë e frymës së fundit para startit, për heshtjen që uji sjell mbi botën.

Plumbi që ia ndryshoi jetën
Në natën e 2 shkurtit 2019, gjithçka u shua në një çast. Në lagjen “Axa” të Romës, teksa ishte me të dashurën pranë një bari, Manuel u përfshi pa faj në një përplasje të dhunshme mes bandash lokale. Dy persona, duke e ngatërruar me dikë tjetër, hapën zjarr. Një plumb e kapi në shpinë dhe e rrëzoi përtokë.
Operacioni ishte i gjatë, shpresa e hollë, por Manuel mbijetoi. Kur hapi sytë, dëgjoi fjalët e mjekëve: “Nuk do të ecësh më.” Ishte vetëm 19 vjeç. Një jetë përpara, por që tashmë e ndarë më dysh.
Rilindja nga asgjëja
Dhimbja mund të thyejë këdo. Por jo Manuelin. Ai vendosi të mos lejojë që fatkeqësia të shkruajë kapitullin e fundit të jetës së tij. Pas javësh rehabilitimi dhe muajsh përballjeje me trupin dhe shpirtin, ai nisi të kthehej në publik si shembull kurajoje.
Në vitin 2020 botoi librin “Rinascere”. Një dëshmi e hapur, pa zbukurime, ku përshkruhen netët e errëta, dëshpërimi, por edhe drita që e shtyu të jetojë. Ishte një manifest i një jete të re, të rindërtuar mbi gërmadhat e ëndrrës së mëparshme.

Nga fjalët në ekran
Historia e tij preku kaq shumë, saqë Rai 1 e solli në ekran në maj 2022 filmin televiziv “Rinascere”, me regji të Umberto Marino. Baza ishte libri i tij, por fuqia e filmit qëndronte tek emocionet: një udhëtim përmes dhimbjes, humbjes dhe forcës njerëzore të jashtëzakonshme.
Giancarlo Commare portretizon Manuel Bortuzzo-n,
Aktor i njohur italian, Alessio Boni luan rolin e babait të Manuelit, një figurë mbështetëse dhe forcë përballë sfidave të djalit të tij.
Gea Dall’Orto interpreton rolin e Martinas, të dashurës së Manuelit, e cila e mbështet atë gjatë periudhës së vështirë pas ngjarjes.
Francesca Beggio luan rolin e nënës së Manuelit, Rossella, e cila përjeton dhimbjen e humbjes së ëndrrës së djalit të saj, por gjithashtu është një burim force dhe dashurie.
Në ekran shikuesit panë jo vetëm tragjedinë e një djaloshi që humbi ëndrrën e tij sportive, por edhe rilindjen e një njeriu që gjeti kuptim të ri për jetën. Mesazhi goditi publikun italian: tragjedia nuk të përcakton; ajo mund të të rimodelojë.

Një jetë e re, një mision i ri
Manuel nuk mundi të rikthehej si notar profesionist, por nuk u largua nga sporti. Ai u bë figurë publike, pjesë e programeve televizive si “Grande Fratello VIP”, dhe u kthye në zë për të rinjtë, për shpresën, për sigurinë publike. Historia e tij u bë model në dokumentarë, reportazhe dhe fushata sensibilizuese.

Mesazhi i Manuelit
Sot, në sytë e Manuel Bortuzzo-s lexohet një e vërtetë që shkon përtej sportit dhe fatkeqësisë:
asnjë plumb nuk mund të vrasë shpresën; asnjë tragjedi nuk është fundi. Rilindja është gjithmonë e mundur.


