Silva Caka “ndez” zjarret politike/ Opozita, ish-kolegët e “masakrojnë”

Emërimi i Silva Cakës, ish-deputete e Partisë së Lirisë, si zëvendësministre e Brendshme në kabinetin e kryeministrit Edi Rama, ka shkaktuar një valë reagimesh të ashpra nga opozita dhe ish-partia e saj.

Reagimi i Partisë Demokratike

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, e ka cilësuar emërimin e Cakës si një tradhti ndaj opozitës, duke e quajtur atë “tradhtare në dispozicion”. Në një intervistë Baliu deklaroi:

“Ka njerëz që shiten dhe nuk shiten. Ne jemi një opozitë që nuk shitet. Në raste të tilla ku ke tradhtarë në dispozicion, nuk kanë besuar asnjë germë që kanë thënë. Vjedhin dhe vazhdojnë shqiptarët që nuk besojnë. Si nuk ka përkrahje në opozitë? Ka anëtarë të PD dhe të gjithë forcave opozitare që kanë 12 vite aty pa punë dhe qëndrojnë aty në krye të betejave. Dhe kur shoh parazitë që bëjnë heroin aty në fb, por në të vërtetë e bëjnë opozitarët e vërtetë. Ata janë në të vërtetë ca speca dhe domate që janë në shitje nga Rama dhe Belinda.”

Reagimi i Partisë së Lirisë

Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, reagoi ashpër përmes rrjeteve sociale, duke theksuar se Silva Caka ishte larguar nga partia për të ndjekur Shkollën e Magjistraturës, por sipas saj, kjo rezultoi të ishte një zgjedhje tjetër.

“Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në ‘Shkollën e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit’. Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet.”

Memelli ka theksuar se deklaratat e mëparshme të Cakës kundër qeverisë dhe kryeministrit tregojnë një kontradiktë mes fjalëve dhe veprimeve të saj.

Lexo edhe :  Rrëmbehet një person në Sarandë, Policia në kërkim të autorëve

Edhe ish-deputeti Myslim Murrizi  ka komentuar gjithashtu me tona të ashpra.

“Iku dhe Zj Silva nga ‘opozita’ dhe bute- bute u ul në prehrin e Qeverisë. Se i bëtë gjyqin Endri Brahimllarit pse iku i pari. Çështje kohe ikin dhe të tjerë që kanë ngelur akoma këtu në Tiranë se në asnjë cep të Shqipërisë nuk ka më nga kjo ‘opozitë’ pas zgjedhjeve të 11 majit. Këta janë më të sinqertë në fakt se ikin drejtpërdrejt vetë. Ndërsa deputet e LSI apo ish-deputet e anëtarë të kryesisë kanë të gjithë familjarët nëpër ministri në poste të ndryshme. Madje bashkëshortja e një deputeti ‘opozitar’ të LSI u mbyt në lot kur iku Ulsiu si ministër drejtësisë. Hajde Mul ‘strategu’ gjej ndonjë koalicion të këtij lloji edhe për zgjedhjet e pjesshme lokale, sidomos për bashkinë Tiranës, e rruaj ndonjë gjë po vari trapin se humb PD dhe vuajnë DEMOKRATËT.”

Kujtojme se Silva Caka, vetëm një vit më parë, kishte bërë thirrje për protesta kundër qeverisë dhe kishte kritikuar ashpër veprimet e qeverisë, duke theksuar se çdo shqiptar kishte “një mijë e një arsye për të protestuar”.

Ky fakt ka ngritur pyetje mbi motivet e kalimit të saj nga opozita në mazhorancë.

Kjo situate a ka nxjerrë në pah tensionet dhe përplasjet brenda skenës politike shqiptare, duke reflektuar shqetësimet mbi besueshmërinë e emërimeve dhe ndikimin politik të individëve që lëvizin mes forcave politike./Etleva Skonja