Rrëfimi i babait: Vajza ime tentoi të hidhej nga ballkoni për shkak të bullizmit

Një vajzë nga Saranda tentoi të vetëvritej dy ditë më parë, një ngjarje që ka tronditur familjen dhe komunitetin lokal. Fatmirësisht, vajza shpëtoi, por familja kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të përballuar pasojat psikologjike dhe për të adresuar fenomenin e bullizmit në shkolla.

Babai i vajzës, Arben Cerriku, rrëfeu momentet e vështira që familja ka kaluar. Ai tregoi se vajza kishte shfaqur shqetësim për disa ditë, por nuk kishte treguar për arsyet e brengës së saj:

“Gjatë këtyre dy javëve të fundit, sidomos javën e fundit, vajza ka qenë shumë e shqetësuar. E kuptoja kur i jepja lek për të ngrënë dhe nuk hante. Vija në dyshim dhe i thosha: ‘Më trego’. Por nuk më tregonte dhe rrinte e mbyllur dhe e shqetësuar. Kjo zgjati dhjetë ditë me radhë.

Pikërisht ndodhi ajo që u bë pardje, kisha dhe datëlindjen e djalit. Vajza sapo vjen nga shkolla i thotë të vëllait, i tregon diçka, një foto ose mesazh: ‘Kjo më ka bullizuar dhe ironizuar’. Vëllai i saj i thotë: ‘Do t’i rregullojmë gjërat’. Vajza u shtri në krevatin dopio ndërsa bashkëshortja bisedonte me një mësuese jashtë. Edhe dëgjoj një zhurmë nga ballkoni dhe çfarë të shikonte… Zoti i madh e ruajti.

Zbritëm poshtë. Kam pasur dhe djalin e vogël në shtëpi, pa shkollë, pasi edhe ai është objekt i bullizmit. Ai bullizohet shumë, ofendohet nga më të ndryshmet, madje edhe bashkëshorten ma shajnë dhe ofendojnë. Që kur ka filluar shkolla, djali ka qëndruar vetëm në shtëpi,” tha babai, në Euronews Albania.

Ngjarja ka nxjerrë në pah rëndësinë e ndërhyrjes së menjëhershme për fëmijët që përballen me bullizmin, si dhe nevojën për mbështetje psikologjike për familjet e prekur. Cerriku apelon për vëmendje të veçantë ndaj fenomenit që, sipas tij, po shkatërron psikologjikisht fëmijët në shkolla.