Kafja e mëngjesit nuk na zgjon vetëm ne, por edhe zorrët tona!
Një studim i ri shkencor ka zbuluar se konsumimi i rregullt i kafesë lidhet me rritjen e aktivitetit të zorrës së trashë, duke ndikuar në funksionimin e sistemit tretës. Ky zbulim mund të hapë rrugë të reja në të ardhmen për trajtimin e kapsllëkut.
Studimi, i realizuar nga shkencëtarë të Universitetit të Kopenhagës dhe i publikuar në platformën ScienceDirect, shqyrtoi se si konsumimi i kafesë ndikon jo vetëm në përbërjen e mikrobiomës së zorrëve, por edhe në funksionimin e vetë sistemit gastrointestinal.
Sipas rezultateve, personat që konsumonin nga një deri në pesë filxhanë kafe, më shumë se tri ditë në javë, shfaqnin aciditet më të lartë në zorrën e hollë dhe kontraktime më të shpeshta të zorrës së trashë.
“Kontraktimet e zorrëve mund të mbështesin tretjen e shëndetshme, të ndihmojnë në parandalimin e kapsllëkut dhe të mbajnë muskujt e zorrëve në gjendje të mirë”, shpjegon Francesca Bucci, studiuese në doktoraturë në Universitetin e Kopenhagës dhe pjesë e ekipit kërkimor, shkruan ygeia.gr.
Çfarë zbuloi kapsula inteligjente që gëlltitën pjesëmarrësit?
Për të hetuar lidhjen mes kafesë dhe funksionimit të zorrëve, shkencëtarët zhvilluan një studim nëntëditor, ku morën pjesë më shumë se 60 të rritur. Nga këta, 50 persona gëlltitën një kapsulë të posaçme pa tel, të njohur si SmartPill, e cila regjistronte të dhëna gjatë kalimit nëpër traktin tretës.
Sensori matëte aciditetin, temperaturën, presionin, kohën e kalimit të përmbajtjes nëpër zorrë, si dhe kontraktimet e tyre, duke u dhënë studiuesve një panoramë të detajuar të funksionimit të sistemit gastrointestinal.
Paralelisht, pjesëmarrësit regjistruan për tetë ditë gjithçka që konsumonin, si ushqime ashtu edhe pije, ndërsa çdo ditë dorëzonin mostra të feçeve dhe urinës.
Përmes këtyre analizave, shkencëtarët shqyrtuan përbërjen e mikrobiomës së zorrëve dhe praninë e substancave që lidhen me konsumimin e kafesë, siç janë metabolitët e kafeinës.
Si ndikon kafja në tretje dhe bakteret e zorrëve?
Një nga gjetjet më të rëndësishme ishte se personat që konsumonin rregullisht kafe shfaqnin më shumë kontraktime në zorrën e trashë. Këto lëvizje ndihmojnë në shtyrjen e përmbajtjes së zorrëve dhe në funksionimin normal të procesit të jashtëqitjes.
Studiuesit vunë re gjithashtu një rritje të aciditetit në zorrën e hollë. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ky ndryshim sjell efekte pozitive apo negative për shëndetin.
Niveli i pH-së në zorrën e hollë luan një rol të rëndësishëm në shpërbërjen e ushqimeve dhe procesin e tretjes. Për më tepër, shkencëtarët theksojnë se nuk është vërtetuar ende që të gjitha ndryshimet e regjistruara shkaktohen ekskluzivisht nga konsumimi i kafesë.
Megjithatë, Henrik Munch Roager, profesor i asociuar në Universitetin e Kopenhagës, vlerëson se ekzistojnë prova që mbështesin këtë lidhje.
“Ne e dimë tashmë nga studime të tjera se kafja mund të ndikojë në procese të ndryshme të sistemit tretës, përfshirë sekretimin e acideve gastrike. Prandaj, ka arsye të forta për të besuar se ajo që po vërejmë nuk është thjesht një rastësi”, shprehet ai.
Gjetjet e reja i shtohen studimeve të mëparshme shkencore mbi lidhjen mes kafesë dhe mikrobiomës së zorrëve.
Një studim i vitit 2024, i realizuar nga Universiteti i Teksasit në Degën Mjekësore (University of Texas Medical Branch), kishte evidentuar një lidhje pozitive mes konsumimit të kafesë dhe përbërjes, si dhe shumëllojshmërisë së baktereve të zorrëve.
Diversiteti mikrobik konsiderohet një tregues i rëndësishëm i një ekosistemi të shëndetshëm intestinal, pasi lidhet me aftësinë e tij për t’u përshtatur me kushte të ndryshme dhe për t’u mbrojtur nga mikroorganizmat patogjenë.
A mund të jetë kafja një aleate kundër kapsllëkut?
Studiuesit vlerësojnë se kuptimi më i mirë i mekanizmave përmes të cilëve kafja ndikon në sistemin tretës mund të shfrytëzohet në të ardhmen për zhvillimin e ndërhyrjeve të reja.
“Shumë njerëz vuajnë nga kapsllëku dhe çrregullimet e jashtëqitjes. Nëse arrijmë të kuptojmë se si kafja ndikon në tretje dhe në kontraktimet e zorrëve, mund ta shfrytëzojmë këtë njohuri për të stimuluar natyrshëm lëvizshmërinë e zorrëve”, thekson profesori Roager, duke shtuar se një zbulim i tillë do të kishte vlerë të jashtëzakonshme.
Megjithatë, shkencëtarët nënvizojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar më mirë këtë mekanizëm. Në veçanti, kërkohen hulumtime që krahasojnë funksionimin e zorrëve gjatë periudhave të konsumimit të lartë të kafesë me periudhat kur personat heqin dorë nga ky zakon./mxh
