Tregu i punës në Shqipëri po përballet me një fenomen të ri: punësimi i të huajve për të mbuluar pozicionet që nuk mund të plotësohen nga punonjësit vendas. Ky trend është i dukshëm sidomos në sektorët e industrisë përpunuese dhe prodhuese, ndërtimit, turizmit, por edhe në bare dhe restorante.
Eksperti për punësimin, Erion Muça, gjatë një lidhjeje direkte për Klan News me moderatoren Enita Mema, tha se tregu vendas ka pasur historikisht një mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës për punë. “Rreth 70% e kërkesave për punonjës janë për pozicione bazike dhe teknike që nuk mbulohen nga punonjësit vendas. Shumë prej tyre nuk preferojnë të bëjnë punë me paga minimale, ose kërkojnë mundësi për të lëvizur midis kompanive, sektorëve apo vendeve të ndryshme,” tha Muça.
Edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restauranteve, Enri Jahaj, shpjegoi se punonjësit vendas po largohen për shkak të kushteve të punës dhe standardeve më të larta të jetesës. “Pagat janë arritur në nivel rajonal, por personeli kërkon kushte më të mira pune dhe një jetë më cilësore. Ndërkohë, punonjësit e huaj vijnë me nivel pagash më të mirë dhe të deklaruara sipas ligjit,” tha Jahaj.
Ekspertët theksojnë se ky fenomen tregon një ndryshim të rëndësishëm në tregun e punës shqiptare, ku të huajt jo vetëm plotësojnë boshllëqet, por shpesh sjellin edhe ekspertizë, përvojë dhe standarde më të larta pune./E.S