Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Pas një hetimi intensiv, autoritetet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim një 48-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e shtetasit italian E. S., 44 vjeç, i cili u gjet i pajetë pas mesnatës së datës 26 shtator 2025 në zonën e quajtur “Qafa e Dilanit”, në aksin rrugor “Nivicë-Salari”.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti verbal për motive të dobëta. Autori, i identifikuar si K. S., banues në fshatin Mesaplik, dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska drejt viktimës, shoqëruesve të tij dhe automjeteve të tyre, duke shkaktuar vdekjen e E. S.
Gjatë operacionit u sekuestruan automjetet e përdorura nga viktima dhe shoqëruesit e tij, dy armë gjahu, automjeti dhe veshjet e autorit, pajisje speciale si dylbi infra dhe termike, si dhe në banesat e autorit u gjetën 2.5 milionë lekë, 3 armë gjahu me municion, 450 fara të dyshuara Cannabis dhe dy kasaforta të mbyllura.
Autoritetet vazhdojnë operacionet për kapjen e 48-vjeçarit K. S., ndërsa hetimet kryhen nga grupi i posaçëm hetimor i Policisë së Gjirokastrës dhe Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës.
