Last Updated on 29/09/2025 by adminfjala
Deputeti demokrat Xhelal Mziu ka komentuar incidentin e ndodhur pak ditë më parë në banesën e tij në Kamëz, ku u regjistrua një shpërthim i fuqishëm me tritol, fatmirësisht pa viktima.
Ish-kryebashkiaku i Kamzës shprehet se dyshon që pas këtij akti qëndron politika, duke vënë në dukje mungesën e reagimit nga kolegët deputetë socialistë dhe nga Ministria e Brendshme.
“Ajo çfarë ka ndodhur te unë është shumë e rëndë. T’i vendoset tritol një deputeti në vitin 2025 dhe të mos ketë asnjë reagim. Është shumë e rëndë. As kolegët deputetë socialistë, as ministrja e Brendshme nuk kanë reaguar dhe nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë. Kjo më ka bërë të dyshoj. Përderisa nuk kanë reaguar, më bën të dyshoj që pas saj është politika,” tha Mziu në një intervistë për Top News.
Deputeti shtoi se maksimumi që duhet bërë tani është të sensibilizohet faktori ndërkombëtar, duke theksuar se ngjarja po lihet në heshtje nga institucionet përkatëse./E.S
