Last Updated on 23/10/2026 by Monika
Zëvendësministrja e Brendshme, Silva Caka, ka komentuar nga Korça reagimin e Policisë së Shtetit gjatë protestave të fundit në Tiranë, si dhe qëndrimin e kryeministrit ndaj personave të përfshirë në to.
E pranishme në një takim për antitrafikimin e fëmijëve, Caka u ndal te pjesëmarrja e të miturve në protesta, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që mund të kenë mbi ta personat me precedentë penalë, të cilët, sipas saj, mund t’i përfshijnë në veprime të dhunshme.
“Shiko, unë konsideroj që në rast se do të kishim të bënim vetëm me një protestë ku marrin pjesë vetëm të rritur, madhorë dhe në gjendje për të kuptuar çdo veprim që bëjnë, sigurisht që ndoshta nuk do të ishte etike. Por duke qenë se në këtë protestë është bërë thirrje për të pasur të mitur, të cilët jo domosdoshmërisht e kuptojnë atë që është duke ndodhur dhe në çfarë po përfshihen, kam merakun se do të duhet që këtyre të rinjve dhe këtyre të miturve t’u bëjmë me dije se këta njerëz nuk janë aty për të protestuar, janë aty duke pasur një precedent penal i cili mund të jetë i një, le të themi, dimensioni të ndryshëm dhe që sigurisht mund të shërbejë si një shembull i keq edhe për të rinjtë apo për të miturit, aq më tepër për të miturit që marrin pjesë në një protestë të nxitur pikërisht nga këta njerëz që duke pasur një precedent penal shkaktojnë edhe dhunë në protestë. Ata mund të shkojnë si fëmijë që kanë dëshirën për të marrë pjesë në një protestë apo të rinj që kanë dëshirën për të marrë pjesë në një protestë, patjetër duke pasur edhe ata kërkesat e tyre, por nuk duhet të bien pre pikërisht e këtyre individëve që kanë precedent penal dhe që janë aty për të shkaktuar anarshi, për të shkaktuar dëme në jetë, shëndet, në pronë publike. Dhe meqënëse ne jemi pikërisht këtu për të ndërgjegjësuar të rinjtë për format e reja të trafikimit, ne jemi pikërisht këtu për të ndërgjegjësuar të gjithë të rinjtë që të mos bien pre e provokimeve apo e një lloj tërheqjeje që mund të bëhet pikërisht nga këta njerëz për të bërë edhe një kontingjent më shumë të individëve që nesër pasnesër mund të kenë një precedent penal. Personat me precedent penal sigurisht që kanë, kushdo ka të drejtën të protestojë, por jo të dhunojë. Dhe besoj është e qartë, ligji e parashikon shumë qartë që do të kesh një dënim më të madh në rast se ke një precedent penal dhe mbi të gjitha je përsëritës i kësaj vepre penale, recidivist”, deklaroi Caka.
E pyetur sërish nëse ishte etike publikimi i të dhënave të protestuesve, zëvendësministrja këmbënguli se është e rëndësishme që të miturit të informohen për personat që, sipas saj, mund të përpiqen t’i përfshijnë në veprime të dhunshme.
“Nuk është çështja etike apo jo. Është shumë e rëndësishme që, ja u shpjegova edhe një herë, duke qenë të rinj dhe fëmijë që po marrin pjesë në këtë protestë, është mirë që të njihen me individë të cilët nuk janë aty për t’i ndihmuar që të çojnë mesazhet e tyre përpara, por janë aty për t’i mësuar edhe ata se si duhet të sillen në një protestë të dhunshme”, tha ajo.
7 policë të pezulluar dhe 55 ankesa nga qytetarët
Caka bëri të ditur edhe shifrat e efektivëve të policisë ndaj të cilëve kanë nisur hetimet pas protestave. Sipas saj, shtatë efektivë janë pezulluar nga Policia e Shtetit dhe janë referuar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërsa katër të tjerë po hetohen me nismën e vetë kësaj agjencie.
“Janë aktualisht 7 efektivë të pezulluar nga vetë Policia e Shtetit, të cilët i janë shtruar hetimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Gjithashtu këta janë referuar nga Policia e Shtetit, kemi 4 të hetuar kryesisht nga vetë AMP-ja dhe janë edhe 55 ankesa të paktën deri në këto momente që flasim, janë 55 ankesa nga qytetarë të ndryshëm të cilët kanë sinjalizuar tejkalimin e detyrës nga policë të ndryshëm. Të gjitha ankesat do të shqyrtohen dhe do të kthehet një përgjigje”, u shpreh zëvendësministrja.
Caka: Kam parë raste kur policia nuk ka reaguar mjaftueshëm dhe raste kur ka tejkaluar detyrën
Sa i përket ndërhyrjes së policisë gjatë protestave, Caka tha se ka vërejtur situata të ndryshme, duke nisur nga rastet kur reagimi i efektivëve nuk ka qenë i mjaftueshëm, deri te ato kur, sipas saj, është tejkaluar detyra. Ajo theksoi rëndësinë e vetëkorrigjimit të policisë, por nënvizoi se edhe qytetarët duhet të respektojnë punonjësit e rendit gjatë ushtrimit të detyrës.
“Mendoj se janë të treja elementet. E kam thënë në shumë intervista dhe nuk kam dëshirë fare që të bëhem repetitive. Kam parë një skenar ku policia ka qenë nën-reaguese, kam parë një skenar ku policia ka reaguar me proporcionalitet, kam parë edhe skenarin ku policia ka tejkaluar detyrën e vet. Për mua si qytetare e këtij vendi, si nënë e dy djemve mbi të gjitha, si një njeri që ka protestuar për shumë vite me radhë, është shumë e rëndësishme që policia të vetëkorrigjohet dhe ne si qytetarë të mos e cënojmë as policinë në kryerjen e detyrës së tyre.
Kam protestuar për shumë vite vite dhe nuk i kam ofenduar, nuk i kam qëlluar dhe nuk i kam prekur kurrë me dorë policët, përkundrazi. Herën e fundit që unë jam arrestuar, jam arrestuar sepse po ndërgjegjësoja një polic për të drejtën e tij për të mos dalë në pension 55 vjeç. Është e qartë besoj”, përfundoi Caka./mxh
