“Fëmija nuk më pengon të jap kontributin tim”, flet deputetja socialiste

Deputetja socialiste Ilva Gjuzi mori vëmendje mediatike ditën e sotme, teksa u shfaq me foshnjen 38-ditëshe në krah gjatë punës në komisionin parlamentar.

Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Studio Live”, deputetja Gjuzi theksoi se si nënë e 4 fëmijëve, mëmësia nuk e pengon që të japë kontributin e saj.

Sikundër, të njëjtën thirrje e bëri edhe për të gjitha gratë e vajzat e tjera, që të mos privohen nga puna edhe nëse janë nëna.

“Nuk më ka penguar asnjëherë dhe nuk më pengon, por nuk duhet të pengojë as ato gra që janë të afta të japin kontributin e tyre. Dhe nuk duhet ta kenë dilemën a mund t’i bëjnë të dyja apo jo”, u shpreh ajo.

Prezenca e deputetes Gjuzi në komision me djalin e saj Blinin me vete tërhoqi jo pak vëmendjen e mediave dhe të publikut, pasi i hasën me një pamje e cila mund të themi që është e rrallë për në Shqipëri. Vogëlushi i saj është vetëm 38 ditësh. m.p.