Last Updated on 11/10/2025 by EL
Kombëtarja shqiptare është gati për ndeshjen ndaj Serbisë, një përballje e rëndësishme në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës. Trajneri Silvinjo ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore dhe ka përcaktuar formacionin që pritet të zbresë në fushë në këtë takim të rëndësishëm.
Në portë do të jetë Thomas Strakosha, i cili ka fituar besimin e stafit teknik falë eksperiencës dhe paraqitjeve të qëndrueshme me fanellën kuqezi. Në mbrojtje, Silvinjo pritet të vendosë për një katërshe të përbërë nga Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj në krahë, ndërsa në qendër do të jenë Arlind Ajeti dhe Berat Gjimshiti.
Në mesfushë, trajneri brazilian do të mbështetet te Qazim Laçi, Kristjan Asllani dhe Juljan Shehu. Ky repart pritet të ketë një rol thelbësor në kontrollin e lojës, me Asllanin që do të jetë organizatori kryesor, ndërsa Laçi dhe Shehu do të kenë detyra të qarta për të mbështetur si fazën mbrojtëse ashtu edhe daljet në sulm.
Në repartin ofensiv, Armando Broja do të jetë titullar në krahun e djathtë. Sulmuesi pritet të përdorë shpejtësinë dhe depërtimet e tij për të krijuar hapësira dhe për të ndihmuar repartin e avancuar. Në qendër do të jetë Rei Manaj, që ka treguar formë të mirë me klubin e tij dhe është një nga pikat e forta të skuadrës në përpjekjen për të gjetur rrugën e rrjetës.
Për krahun e majtë të sulmit, balotazhi është mes Nedim Bajramit dhe Arbër Hoxhës. Trajneri Silvinjo pritet t’i japë përparësi Hoxhës, i cili ka treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit me klubin e tij, ndërsa Bajrami nuk ka pasur vazhdimësi me Rejnxhërs në këtë fillim sezoni.
Atmosfera në kampin kuqezi është e qetë, me skuadrën që duket e përqendruar dhe e motivuar për këtë sfidë.
Pritet një ndeshje me intensitet të lartë, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën. Shqipëria e ka të qartë se çdo pikë është vendimtare në garën për Botërorin./e.t
