Anija Endurance, e cila u shtyp nga akulli i Antarktidës në vitin 1915, ishte strukturalisht e paqëndrueshme. Dhe kapiteni i saj e dinte këtë.
Anija “Endurance” ishte larg të qenit një nga anijet polare më rezistente të kohës së saj, dhe kapiteni i saj e dinte këtë: kjo është e vërteta tronditëse në të cilën arriti një ekip kërkimor nga Universiteti Aalto (Finlandë), i cili kreu analiza strukturore të rrënojave dhe studioi me kujdes shkrimet e kapiten Ernest Shackleton. Anija, e cila u fundos në akullin e Antarktidës në nëntor 1915, “nuk ishte projektuar për t’i bërë ballë kushteve që e fundosën atë”, shpjegon Jukka Tuhguri, autori i studimit.
Fatkeqësi e paralajmëruar
Për herë të parë, ekspertët kanë kryer analiza strukturore mbi rrënojat e anijes Endurance , duke zbuluar se krahasuar me anijet e tjera që lundronin në akullin e Antarktidës në atë kohë, “trarët dhe kornizat e kuvertës ishin më të dobëta, ndarja e motorit ishte më e gjatë dhe kjo shkaktoi një dobësim serioz të trupit; për më tepër, nuk kishte trarë diagonalë për ta përforcuar atë”, siç shpjegon Tuhkuri.
Një ekspeditë vetëvrasëse?
Gjëja më e habitshme është se Shackleton ishte në dijeni të dobësive strukturore të anijes, por vendosi të nisej pavarësisht gjithçkaje: kjo është ajo që del nga ditarët e tij të anijes , korrespondenca personale dhe komunikimet e tjera të ekuipazhit. “Para se të nisej, ai u ankua për dobësitë e anijes në një letër drejtuar gruas së tij, duke thënë se do ta kishte ndërruar Endurance me anijen e tij të mëparshme pa hezitim”, shpjegon Tuhkuri.
Me sa duket, gjatë një vizite në një kantier detar norvegjez, ai kishte rekomanduar përdorimin e trarëve diagonalë, të cilët mungonin në anijen e tij, për një anije tjetër polare e cila, pasi kishte mbetur e bllokuar për muaj të tërë në akullin e paketuar, arriti të shpëtonte.
Shkurt, duket se Ernest Shackleton u nis në një ekspeditë vetëvrasëse, megjithëse për fat të mirë përfundoi pa viktima. Motivet janë një mister, dhe sipas Tuhkurit, ato do të mbeten gjithmonë të tilla: “Ne mund të spekulojmë dhe të fajësojmë presionet financiare ose kufizimet kohore, por e vërteta është se mund të mos e dimë kurrë pse Shackleton mori këtë vendim”, përfundon ai.
Përgatiti për botim: L.Veizi
