Last Updated on 09/09/2026 by Klara
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka shtyrë për të premten vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se “nuk ka vota për nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake” për mënyrën e votimit.
Haxhiu tha se po e shtyn seancën për të premten në orën 11:00, gjithashtu pasi deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiç, nuk e tërhoqi fjalinë “në emër të popullit serb” kur e propozoi kandidatin e partisë për nënkryetar nga komuniteti serb.
“Rregullorja e Kuvendit parasheh saktë se cilat janë masat që duhet të ndërmerren ndaj deputetëve që përdorin gjuhë të tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu pasi Simiç refuzoi ta tërheqë fjalinë.
Haxhiu u takua me përfaqësuesit e partive parlamentare për të arritur një marrëveshje për mënyrën e votimit. Ajo tha se takimi mbaroi pa marrëveshje.
“Pra, në atë takim, siç unë e kuptova, ishte e qartë që as propozimi i grupit parlamentar, përkatësisht subjektit politik PDK, që ishte zonja Vlora Çitaku dhe në anën tjetër as propozimi i LDK-së që ishte Kujtim Shala, nuk i kanë votat”, tha Haxhiu.
“Edhe Arbërie Nagavci ngriti shqetësimet e njëjta me deklarimet e deputetit Simiç që janë jokushtetuese, pra është e qartë se nuk ka vota për propozimet e tyre për t`u zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit”.
Për t’u përmbyllur konstituimi i legjislaturës së 11-të duhet të zgjidhen kryetari i ri dhe 5 nënkryetarët. Konstituimi i Kuvendit të ri i hap rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri.
Partia fituese, LVV, i ka votat për Kuvendin dhe qeverinë e re, por jo për presidentin. Zgjedhja e presidentit ka qenë në qendër të krizës politike këtë vit dhe mund të shkaktojë sërish zgjedhje të reja./k.m
