Më 15 tetor 1945, në burgun e Fresnes, pranë Parisit, u ekzekutua me pushkatim Pierre Laval, ish-Kryeministri i Francës gjatë pushtimit nazist. Ai u shpall fajtor për tradhti të lartë ndaj Atdheut, pas një procesi gjyqësor që pasoi çlirimin e vendit nga forcat aleate dhe rezistenca franceze.
Gjatë periudhës së qeverisë së Vichy-së (1940–1944), e cila bashkëpunoi ngushtë me Gjermaninë hitleriane, Laval kishte qenë figura më e fuqishme pas Marshallit Philippe Pétain. Si kryeministër, ai miratoi ligje antisemite dhe dha urdhra për deportimin e mijëra hebrenjve francezë drejt kampeve të përqendrimit, si dhe për pushkatimin e partizanëve të rezistencës.
Pas çlirimit të Francës, ai u arrestua ndërsa përpiqej të arratisej drejt Spanjës frankiste. Gjykimi i tij u zhvillua me shpejtësi dhe me tension të lartë publik, pasi shumë francezë e konsideronin simbol të turpit kombëtar.
Në përpjekje për të shmangur ekzekutimin, Laval u përpoq të helmohej, por mjekët e shpëtuan vetëm për ta nxjerrë para skuadrës së pushkatimit disa orë më vonë.
Ndërkohë, Philippe Pétain, udhëheqësi suprem i regjimit të Vichy-së, u dënua gjithashtu me vdekje, por iu fal jeta nga Presidenti Charles de Gaulle për shkak të moshës së thyer.
Pierre Laval mbetet figura më e urryer e kolaboracionizmit francez, simbol i tradhtisë politike ndaj idealeve republikane dhe lirisë së vendit të tij.
Përgatiti: L.Veizi
