Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në zyrat e IMT Tiranë, ku një 61-vjeçar ka mësyrë në ambientetet e godinës duke kërcënuar se do të vriste drejtorin e këtij institucioni.
Sapo 61-vjeçari Leonard Nikolli ka hyrë në zyrat e IMT Tiranë ka kërkuar të takojë drejtorin , Klajdi Meçi dhe ka deklaruar se është i armatosur. 61-vjeçari ka bërtitur me zë të lartë se do t’ua bëntë njëjtë siç ia bënë edhe gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra disa javë më parë në sallën e gjyqit.
Leonard Nikolli është shoqëruar në Komisariatin numër 3 në Tiranë, pasi drejtori i IMT Tiranë, Klajdi Meçi ka bërë kallëzim në polici. Sipas tij, Leonard Nikolli e ka kërcënuar dhe me vete kishte edhe armë zjarri.
Në deklarimet paraprake, Leonard Nikolli është shprehur se ka pasur probleme me pronat dhe për këtë bënte përgjegjës IMT Tiranë. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që pritet edhe arrestimi i Nikollit./ K.M
