Last Updated on 15/10/2025 by EL
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur sot në GJKKO ku ka qenë seanca e radhës për akuzat që rëndojnë ndaj tij për dosjen ‘Saspac’. Beqaj tha se dje e kuptoi me praninë e Altin Dumanit te Ligjet se SPAK-ut i mungonin në statistika hetimi i zyrtarëve të lartë.
“E nderuar Gjykatë,
Edhe pse kjo seancë zhvillohet me dyer të mbyllura dua të bëj deklaratën në vijim: Në njoftimin e akuzës, 17 shkurt 2025 unë akuzohem edhe për veprën e korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë për veprime të kryera në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC. Në 6 shtator 2023 procedimi penal 190/2023 është regjistruar për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarit publik. Më tej është bërë rikualifikim i veprës penale.
Në vendim e caktimit të masës në shkallën e parë të GJKKO në 6 korrik 2024 shkruhet se, por edhe arsyetohet pse, Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë. Edhe në vendimin e apelit të GJKKO po për vlerësimin e masës së sigurisë me 7 gusht 2024 shkruhet se, por edhe arsyetohet pse, Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë. Se kush funksionar i lartë sipas Kushtetutës dhe K.Pr.P. është shumë e qartë. Listë e subjekteve është shteruese.
Më ka habitur shumë kjo lloj akuze. Kam pritur ballafaqimin gjyqësor. Por nga dje e kuptova. Më sqaroi drejtuesi i SPAK me çfarë raportoi në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit. Mesa duket SPAK i mungonte në statistika hetimi i funksionarëve të lartë që shpërdorojnë fonde të BE-së. Po ashtu kuptova edhe masën e sigurisë joproporcionale. Janë disa vendime të Gjykatës së Posaçme që kanë rrëzuar SPAK lidhur me cilësimin e funksionarit të lartë. SPAK vijon me të vetën, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë fle gjumë.”, tha Beqaj./E.T
