Gjykata e Lartë reagoi sot në lidhje me mbledhjen e Posaçme të Gjykatës së Lartë, zhvilluar më 30 shtator për zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, ku u zgjodh Asim Vokshi, dhe pretendimeve në medie në lidhje me shpalljen të pavlefshme të votës për kandidaten Naureda Llagami.
Në një njoftim për shtyp, institucioni thekson se çdo veprim i saj ka qenë në përputhje me ligjin, rregulloret dhe dokumentacionin zyrtar, duke refuzuar çdo insinuatë ose fyerje ndaj anëtarëve të gjyqësorit. Gjykata shpjegon se procesi u zhvillua sipas standardeve të pandryshuara procedurale, duke respektuar fshehtësinë e votës dhe transparencën e plotë të veprimeve.
Sipas njoftimit, Komisioni i Votimit administron të gjitha fazat e votimit, duke siguruar paanshmërinë dhe fshehtësinë e procesit. Rezultati i mbledhjes së 30 shtatorit, ku kandidatët Asim Vokshi dhe Naureda Llagami morën respektivisht 6 dhe 8 vota, u certifikua njëzëri nga të gjithë gjyqtarët dhe u shpall i ligjshëm sipas nenit 7/ç të ligjit nr. 8577/2000.
Gjykata thekson se çdo shenjë e bërë mbi fletën e votimit, përveç asaj që shpreh vullnetin e fshehtë, e bën atë të pavlefshme dhe nuk cenon procesin, por garanton integritetin e vendimmarrjes.
Institucioni rithekson se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se transparenca është pjesë e misionit për të rritur besimin e publikut në drejtësi. Gjykata e Lartë deklaron se nuk do të ndikojë nga sulmet apo përçmimet dhe do të vazhdojë të ushtrojë me dinjitet funksionin e saj kushtetues.
