Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka folur sot për protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se akuzat ndaj luftëtarëve janë të pabaza dhe trillime për të nxirë imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Bashkëkombas, ju falënderoj për organizimin dhe kontributin që jepni për lirinë e çlirimtarëve dhe dinjitetin e UÇK-së, nga sheshi ‘Skëndërbej’ deri në Amerikë. Kjo gjykatë u themelua për të zbardhur pretendimet për trafikim organesh, dhe u mbështet nga vetë Kosova, jo për të burgosur çlirimtarët. U hetua dhe u kuptua që çdo gjë ishte trillim për të nxirë imazhin e luftës.”
Ahmeti shtoi se aktakuzat e Gjykatës Speciale nuk reflektojnë realitetin e luftës dhe se UÇK-ja ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare. Ai vuri në dukje se dëshmitë nga autoritetet amerikane dhe britanike në Hagë konfirmojnë bashkëpunimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me NATO-n dhe Brukselin.
“Liria e Kosovës nuk është arenë për politika personale dhe nuk është fushë për përçarje. Shqiptarë të bashkohemi për të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen, për çlirimtarët dhe për dinjitetin e UÇK-së. Vëllezër e motra, respekt në përjetësi nënës Shqipëri, të gjithë ju ushtarë të UÇK-së, faleminderit për praninë tuaj sot”, deklaroi Ali Ahmeti. m.p.
