Nga Leonard Veizi
Jo çdo lindje ndodh në heshtje. Disa vijnë si një dritë që çan errësirën dhe e detyron botën të shohë ndryshe. E tillë ishte lindja e Pablo Ruiz Pikasos, më 25 tetor 1881, në qytetin andaluzian të Malagës. Që nga ai çast, arti nuk do të ishte më i njëjti. Ai nuk do të kufizohej në formë e ngjyrë; do të shpikte një mënyrë të re për të parë botën.
Që fëmijë, Pikaso nuk i ndahej lapsit e furçës. Thuhet se nisi të vizatonte përpara se të fliste. I ati, piktor dhe mësues arti, e kuptoi shpejt se kishte përpara një talent të rrallë. Në adoleshencë, Pikasos i mjaftonte një penel për të shprehur më shumë se ç’mund të thoshin të tjerët me fjalë. I ati, me një ndjenjë përulësie, ia dorëzoi penelat, duke pranuar se arti kishte gjetur trashëgimtarin e tij të vërtetë.

Në fillim, bota e tij u ngjyros me blu – periudha e trishtimit, e vetmisë dhe e ndjeshmërisë së thellë. Pikturat e asaj kohe duken si psherëtima të shpirtit. Më vonë, ngjyrat u ngrohën, u bënë rozë e të gjalla, frymëzuar nga jeta e cirkut dhe njerëzit e thjeshtë. Ishte periudha ku ai nisi të pajtohej me botën, por jo për shumë gjatë.
Sepse Pikaso nuk lind për t’u pajtuar, por për të thyer. Ai e pa realitetin si një enigmë që duhej copëtuar e rindërtuar. Me Zhorizh Brakun, ai shpiku kubizmin, një stil që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si shihej arti. Tani, objektet nuk ishin më vetëm ajo që dukeshin, por një përplasje këndvështrimesh, një shumësi realitetesh.
Pikaso nuk njihte kufij. Ai pikturoi, skulpturoi, krijoi qeramika, kolazhe e poezi. Ishte i pangopur, gjithmonë në kërkim të një forme të re për të shprehur veten. “Unë nuk kërkoj, unë gjej”, thoshte ai, duke përmbledhur ndoshta më mirë se kushdo filozofinë e tij të jetës dhe artit.
Kur lufta përfshiu botën dhe qyteti Guernika u shkatërrua nga bombat, Pikaso reagoi jo me fjalë, por me pikturë. Krijoi “Guernicën”, një nga veprat më të fuqishme të shekullit XX. Në atë telajo gjigante, dhimbja njerëzore, frika dhe tmerri i luftës marrin formë e bërtasin pa zë. Ishte një protestë me ngjyra, një britmë që s’kishte nevojë për përkthim.

Një kapitull i veçantë në historinë e portreteve të Pikasos lidhet me Gjon Milin, fotografin me origjinë shqiptare nga Shkodra. Mili e dokumentoi artistin ndërsa punonte, duke kapur procesin krijues në momentin e tij më të gjallë. Fotot e tij nuk janë thjesht imazhe, por dëshmi të një energjie që rrjedh në çdo lëvizje të penelit dhe çdo gjest krijues. Bashkëpunimi i tyre shfaq Pikasos jo vetëm si një figurë ikonike, por si një shpirt në veprim, dhe falë Milit, ne mund ta shohim këtë proces të gjallë, nga afër dhe me intensitet.
Në jetën e tij të gjatë, të mbushur me pasione, dashuri dhe shpikje pa fund, Pikaso nuk pushoi kurrë së krijuari. Kur u nda nga jeta në vitin 1973, la pas më shumë se 50 mijë vepra – një univers i tërë që dëshmon se arti nuk ka kufij, as moshë, as fund.
Sot, emri i Pablo Pikasos tingëllon si sinonim i gjenialitetit dhe lirisë. Ai guxoi të rrëzonte çdo rregull, çdo formë të njohur, për ta rindërtuar bukurinë sipas syve të tij. Ishte një rebel me penel, një njeri që nuk pranoi të kopjonte botën – sepse, për të, arti nuk ishte pasqyrë e jetës, por vetë jeta, e rilindur në çdo ngjyrë.
