Avokati i njohur Saimir Vishaj ka folur sot në emisionin “Breaking” në lidhje me periudhën e vështirë familjare që po kalon, pasi më herët njoftoi se ishte divorcuar nga bashkëshortja.
Mes të tjerash Vishaj tha se ndihet i braktisur, pasi familjarët e tij, ish-bashkëshortja dhe fëmijët kanë zgjedhur të jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ai jeton në Shqipëri. Sipas avokatit, divorci me bashkëshorten erdhi për shkak të sëmundjes së tij.
Pak kohë më parë avokati zbuloi se vuante nga kanceri, iu nënshtrua kimioterapisë dhe fatmirësisht arriti ta kalonte këtë sfidë.
“Po kaloj një periudhë të vështirë familjare. Familja dhe bashkëshortja kanë zgjedhur të jetojnë jashtë shtetit, jetojnë në SHBA. Jam braktisur por do e kaloj. Puna më ndihmon ta kaloj, kolegët dhe miqtë e mi. Unë jam i dashuruar me Shqipërinë, jam i ri dhe nuk mund të ri pa punuar. Pavarësisht sa të mira ka SHBA, unë dua të punoj në Shqipëri.
Tani po ndërtoj jetën normalisht. Pavarësisht se jam përballur me shumë gjyqe. Por i kam kaluar. Po ja dal vetëm, tani kam dhe një qen. Më duket se do bëhem si Lasgush Poradeci, ‘I vetmuar por me një qen’. Fëmijët më kanë bërë dhe gjysh dhe jam i lumtur për ta. Isha pak javë më parë në SHBA dhe i takova. Nipi më thotë që edhe nëse do të vdesësh, do të ngelesh yll në qiell.
Në 40 vite martesë, është normale që vetmia nuk i shkon askujt. Një martesë e lidhur me dashuri, nuk sfumohet kaq shpejt, por kur më merr malli, shkoj në SHBA dhe takoj nipin. Me ish-gruan nuk kam asnjë raport. Zero komunikim.
Tani u bënë 8 muaj që e kaloj këtë gjë, jam më mirë. Fëmijët janë ata që gjithmonë mbajnë anën e nënës, po të kisha vajzë do kishte mbajtur anën time. Unë nuk kam gabuar sepse po të kisha gabuar, divorci do kishte ardhur më parë. Ndodhi gjatë sëmundjes time. Ajo nuk e duronte dot sëmundjen time, u lodh dhe shkoi pranë djemve në SHBA.”– tha avokati./A.D
