Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar një mbledhje ditën e sotme ndërsa deputeti Flamur Noka nuk i ka kursyer porositë për kolegët e tij. Përveç porosive për të bërë rezistencë dhe për të mos u nënshtruar ndaj mazhorancës, Flamur Noka kishte me merak dhe një çështje tjetër, veshjet e luksit.
Noka i tha deputetëve demokratë se Kuvendi nuk është një vend ku duhet shkuar me kostum 5 mijë euro apo kollare 2 mijë euro, por një vend ku duhet të përballen, të bëjnë rezistencë e betejë për atë që kanë nevojë qytetarët.
Por mesa duket, merakliu Noka harron që në fund të vitit 2023, kur ishte i përjashtuar nga Kuvendi për shkak të shkeljeve të kryera, tentoi të ngjitet nga dritaret e Kuvendit për tu futur brenda në godinë, dhe syrit të qytetarëve nuk i shpëtoi asgjë.
Xhinset e veshura të Nokës kushtonin jo pak, por 680 euro dhe këpucët e tij, 340 euro nga një kërkim shumë i thjeshtë.
Në parim, të gjithë mund të jenë dakord me atë që Flamur Noka thotë, por realiteti është krej ndryshe nga ai vetë i pari, i cili dukshëm nuk kursehet aspak kur vjen puna tek veshjet dhe “propaganda” e tij nuk ndryshon.
Kujtojmë gjithashtu se prej vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim pasuror ndaj Flamur Nokës dhe familjes së tij.
“Miq, ne jemi deputetë të opozitës dhe opozita ka disa të drejta që ne nuk i lëshojmë kurrë. Një rregull që vepron prej 35 vitesh në Parlament nuk mund të na diktojë Niko Peleshi dhe Taulant Balla një gjë ndryshe tani.
Ne jemi ne Kuvend për betejë, jo për nënshtrim. Kushdo që mendon se është në Kuvend për të ardhur me kostum 5000 euro apo kollare 2000 euro, dhe për të bërë foto në foltore, asnjë lidhje nuk ka me nevojën që kanë qytetarët për përballje, për rezistencë, për betejë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa janë të drejtat tona.
Të drejtat tona do ti mbrojmë. Nuk nënshtrohemi. Kush ka frikë nga përballja, dëshiron të nënshtrohet, të vazhdojë por kjo s’ka asnjë lidhje me opozitarizmin.”-tha Noka në mbledhjen e grupit. m.p.
