Ndërprerja e reshjeve ka bërë që uji të tërhiqet nga banesat në Vaun e Dejës. Situata është përmirësuar por përmbytjet kanë lënë pas dëme të shumta. Orenditë nëpër banesa janë shkatërruar.
Dëme ka edhe në bujqësi, ndërsa banorët thonë se kjo situatë është e përsëritur.
“Na kanë shkatërruar totalisht. Nuk është ky viti i parë. Çdo vit këtë punë kemi ne”, tha një banor.
“Më pak ka pasur përmbytje, e dhera, por jo të kësaj natyre. Këtë radhë ka shkuar deri te shtëpitë atje në fshat”, cilësoi një banor tjetër.
Bashkia e Vaut të Dejës ka nisur me verifikimin e dëmeve ku do të bëhet përllogaritja e plotë e pasojave nga përmbytjet.
Situata nga moti i keq u shkaktua në fundjavë për shkak të shtimit të prurjeve nga përroi i Glinës, e për pasojë u përmbyten rreth 100 banesa, kryesisht në zonën e Bushatit./ K.M
