Last Updated on 28/10/2025 by Leonard
Nga Leonard Veizi
Në qiejt e artit, ka penela që nuk thjesht pikturojnë, por dëshmojnë dhe pëshpërisin historinë. Janë duar që nuk njohin lodhje, sy që shikojnë përtej mureve dhe barrierave të betonit, e zemra që rrahin në ritmin e epokave. Prej vitesh, ai ka shndërruar muret e Shqipërisë, – nga Veriu në Jug të saj, – në pëlhura të gjalla, duke gdhendur me ngjyrë portretet e atyre burrave që i dhanë këtij kombi dritë e liri, duke detajuar me devocion të palëkundur historinë tonë të shenjtë. Ai është Bledar Cakalli, piktori i muraleve, dëshmitari i kohës përmes artit.

Dhe ja, zemra e Kosovës e thërriti sërish penelin e tij. Në kujtim të sakrificës titanike dhe heroizmit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, piktori shqiptar ka finalizuar punimet për realizimin e një murali monumental në Deçan, një vepër që është më shumë se ngjyrë e formë: është një lutje e vizatuar, një himn pa fjalë.
Në qendër të këtij krijimi qëndron çasti ku njerëzia dhe lufta ndërthuren: momenti i transportimit të të plagosurve gjatë luftës drejt strehës, drejt Nënës Shqipëri.
Ky projekt, i frymëzuar nga thellësia e respektit kombëtar, u inicua mbi kërkesën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Deçan, me datë 08.07.2025. Vizioni i tyre gjeti mbështetjen e plotë të Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Deçanit në mbledhjen e mbajtur më 10.07.2025. Vendimi parashikoi ndarjen e fondeve për realizimin e “Muralit – Siluetë kushtuar UÇK-së”, një vepër që pritet të bëhet simbol nderimi i palëkundur dhe një gur themeli kujtese për brezat që vijnë e që duhet të dinë.
Sipas lejes së lëshuar nga Drejtoria për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike, murali u zhvillua në Deçan, në arterien e qytetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, pranë rrethrrotullimit të parë në drejtim të Pejës. Piktori Çakalli u udhëzua me një detyrë të shenjtë: të ruante me fanatizëm origjinalitetin e siluetës heroike të UÇK-së dhe të gjitha elementet që i dhanë jetë projektit artistik të miratuar.
Bledar Çakalli, i lindur më 09 dhjetor 1990 në Bulqizë, tashmë është një emër që rezonon. Ai njihet për veprat e tij murale që janë një bashkim i fuqishëm mes artit figurativ dhe thesarit të tematikave historike e kombëtare. Krijimtaria e tij në Kosovë shënon një bashkëpunim të frytshëm, një dëshmi se arti mbetet ura më e fortë, ajo që lidh të kaluarën e lavdishme me identitetin kombëtar, duke i dhënë kujtesës frymë dhe formë të amshuar.

