Piktori i njohur fierak Minella Saro është ndarë nga jeta në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në moshën 92-vjeçare. Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga familjarët dhe miqtë e artistit, i cili la pas një krijimtari të pasur dhe një gjurmë të rëndësishme në artin figurativ shqiptar.
I njohur për lirizmin, koloritin dhe freskinë e ngjyrave, Saro ia kushtoi jetën pikturës dhe edukimit artistik të brezave të rinj. Përmes penelit të tij, ai solli në telajo peizazhe, portrete dhe kompozime që pasqyrojnë ndjeshmërinë krijuese dhe këndvështrimin e tij mbi jetën.
I diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, Minella Saro ishte ndër figurat që kontribuuan në zhvillimin e jetës artistike në Fier. Në vitin 1970, së bashku me kolegë të tjerë, ai ishte ndër themeluesit e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Fier, si dhe të Degës së Arteve Figurative pranë shkollës artistike “Jakov Xoxa”.
Gjatë karrierës së tij, artisti realizoi dhjetëra vepra, mes tyre “Mbledhja e taksave”, e cila mori pjesë në Bienalen e Kajros në vitin 1962, “Mbledhja e Poçemit”, “Shpallja e pavarësisë”, “Njerëzit e ditëve tona” dhe “Vajzat dhe çadrat”.
Krijimtaria e Saros ka gjetur vend në institucione të rëndësishme të artit, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe Galerinë e Arteve Figurative “Vilson Kilica” në Fier. Punimet e tij ruhen gjithashtu në galeri dhe koleksione private në Shqipëri, Francë dhe vende të tjera.
Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humbet një prej piktorëve që kontribuuan në pasurimin e trashëgimisë artistike të Fierit. Veprat e Minella Saros mbeten dëshmi e talentit dhe përkushtimit të një jete të kaluar mes penelit, ngjyrave dhe krijimtarisë./ad
