Anne Carson, poetja dhe shkrimtarja kanadeze që fitoi Çmimin Nobel në Letërsi 2026, është një nga ato autore që nuk mund t’i vendosësh lehtësisht në një kategori. Në librat e saj, poezia ndërthuret me prozën, mitologjia greke me historitë bashkëkohore, kurse ndjesitë personale shndërrohen në reflektime për kujtesën, humbjen dhe identitetin.
Por nga duhet ta nisni nëse nuk keni lexuar ende asgjë prej saj? Një pengesë për ne lexuesit shqiptarë është fakti që veprat e Carson nuk janë botuar ende në shqip. Për momentin, ata që duan ta njohin më mirë shkrimtaren duhet t’u drejtohen botimeve në gjuhë të huaja. Burime për Anabel zbulojnë se përkthimet në shqip janë në proces.
Pas shpalljes së Nobelit, shkrimtari Agron Tufa ka sugjeruar tri prej veprave më përfaqësuese të Carson, sipas tij, ndërsa Anders Olsson, kryetari i Komitetit të Nobelit për Letërsinë në Akademinë Suedeze, ka veçuar edhe një tjetër krijim që e konsideron ndër më të rëndësishmit për të kuptuar stilin e saj.
1. “Autobiografia e së kuqes” (Autobiography of Red, 1998)
Një roman i shkruar në vargje, që merr një personazh nga mitologjia greke dhe e vendos në një histori moderne dashurie dhe rritjeje personale. Në mitologji, Geryoni është një përbindësh i kuq, me krahë, që vritet nga Herakliu, por në versionin e Anne Carson, ai është një adoleshent i ndjeshëm, i apasionuar pas fotografisë, i cili bie në dashuri me një djalë të quajtur Herakli. Marrëdhënia e tyre përfundon me një ndarje të dhimbshme, ndërsa vite më vonë, dy personazhet takohen sërish.
Përmes kësaj historie, Carson trajton dashurinë e parë, vetminë, seksualitetin dhe vështirësinë për të kuptuar e pranuar identitetin personal.

2. “Bukuria e bashkëshortit” (The Beauty of the Husband, 2001)
Çfarë ndodh kur vazhdojmë ta duam dikë, edhe pse e dimë se nuk mund t’i besojmë? Kjo është një nga pyetjet që Anne Carson trajton në librin “The Beauty of the Husband”, një vepër poetike me nëntitullin “Ese letrare në 29 tango”.
Përmes 29 fragmenteve poetike, autorja rrëfen historinë e një martese dhe shpërbërjen e saj. Narratorja, një grua pa emër, kujton marrëdhënien me një burrë, bukuria dhe sharmi i të cilit e kishin bërë të shpërfillte për një kohë të gjatë tradhtitë e tij. Struktura e librit ndjek ritmin e tangos, me afrime, largime dhe përplasje emocionale që pasqyrojnë vetë marrëdhënien.
Në vitin 2001, kjo vepër fitoi çmimin prestigjioz britanik për poezinë “T. S. Eliot”, duke e bërë Carson gruan e parë që nderohej me këtë çmim.

3. “Nox” (2010)
Ndryshe nga librat e tjerë, “Nox” është një vepër thellësisht personale, në kujtim të vëllait të ndjerë të shkrimtares. Për ta rrëfyer humbjen, Carson përdor fotografi familjare, letra, kujtime, fragmente poetike dhe referenca nga letërsia klasike. Edhe forma fizike e librit është e pazakontë: ai është ndërtuar si një harmonikë e gjatë që shpaloset, duke bashkuar tekstin me fotografi dhe kolazhe.
“Nox” është një reflektim mbi zinë, kujtesën dhe përpjekjen për të kuptuar jetën e një njeriu të dashur pas vdekjes së tij. Në të njëjtën kohë, libri përballet me një të vërtetë të vështirë: edhe njerëzit që kemi më pranë mund të mbeten, në njëfarë mënyre, të panjohur për ne.

4. “Eseja e qelqit” (The Glass Essay, 1995)
Kjo është vepra që Anders Olsson, kryetari i Komitetit të Nobelit për Letërsinë në Akademinë Suedeze, sugjeron si një pikënisje për të njohur Anne Carson. Në qendër është një grua që, pas përfundimit të një marrëdhënieje dashurie, udhëton për të vizituar nënën e saj, e cila jeton e vetmuar në një zonë të shkretë.
Gjatë udhëtimit, ajo merr me vete veprat e shkrimtares së preferuar, Emily Brontë. Bota letrare e Brontë-së dhe peizazhet që përshkruan ajo ndërthuren me kujtimet, mendimet dhe përjetimet personale të protagonistes. Historia ndërtohet rreth tri grave të vetmuara, ndërsa Carson kalon vazhdimisht nga rrëfimi te poezia dhe analiza letrare.

Vepra të tjera të vlerësuara të Anne Carson, të cilat rekomandohen edhe nga komunitetet e lexuesve, janë “Eros the Bittersweet” (1986), një ese që eksploron lidhjen mes dashurisë, dëshirës dhe mungesës, duke u mbështetur në letërsinë e lashtë greke; “If Not, Winter” (2002), ku Carson sjell përkthimet e fragmenteve poetike të Safos, duke ruajtur edhe pjesët e humbura të teksteve origjinale; “Red Doc>” (2013), vazhdimi i romanit në vargje “Autobiography of Red”; si edhe “Float” (2016), një vepër eksperimentale e përbërë nga 12 broshura të veçanta, ku ndërthuren poezi, pjesë teatrale, dialogë dhe reflektime letrare.

Veprat e Anne Carson nuk janë gjithmonë lexime të lehta, kërkojnë vëmendje dhe shpesh i largohen mënyrës tradicionale të rrëfimit, duke ndërthurur forma dhe zhanre. Megjithatë, nuk është e nevojshme të njihni mitologjinë greke apo letërsinë klasike për t’u afruar me botën e saj. Mund ta nisni me historinë e dashurisë te “Autobiography of Red”, me një martesë të shkatërruar te “The Beauty of the Husband”, me përjetimin e humbjes te “Nox” apo me poezinë dhe reflektimet letrare te “The Glass Essay”./k.m
