Nga Leonard Veizi
Në vitin 1983, me Majkëll Dagllas në rolin e gjykatësit Stiven Hardin, doli një film thriller që duket sikur nuk bëri shumë zhurmë, por që arrinte të të linte një gropë në stomak: “The Star Chamber” i cili në shqip vjen si: “Gjykata e Yjeve”…
Filmi nuk merret me misterin se kush e bëri krimin. Kriminelët dihen. Problemi është tjetërkund: sistemi që duhet t’i dënojë i lëshon për një presje, për një procedurë. Dhe atëherë, një grup gjykatësish lodhur nga pafuqia vendos të hapë një gjyq të dytë, në hije, ku verdikti jepet pa togë dhe dënimi zbatohet pa apel. Pyetja që shtron nuk është “a është fajtor?”, por “çfarë bëhesh ti kur merr përsipër të vësh drejtësi me dorën tënde?”
“Star Chamber” e Henri VII
Duket se autorët e filmit e kanë titulluar “Star Chamber” sipas gjykatës speciale në Angli, që u krijua nga mbreti Henri VII rreth vitit 1487. Ajo mblidhej në një sallë të Pallatit të Westminsterit, me tavan të dekoruar me yje – prej nga vjen edhe emri. Fillimisht, “Gjykata e Yjeve” kishte një qëllim pozitiv: të gjykonte rastet e korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe krimeve që gjykatat e zakonshme nuk mund t’i trajtonin për shkak të ndikimit të të pasurve ose fisnikëve. Por me kalimin e kohës, ajo u shndërrua në një instrument represioni mbretëror, që gjykonte në fshehtësi, pa juristë, pa dëgjues publikë dhe pa apel. Vendimet ishin të menjëhershme dhe shpesh të dhunshme. Më 1641, Parlamenti anglez e shkriu Gjykatën e Yjeve, duke e shpallur një simbol të abuzimit me drejtësinë dhe të pushtetit absolut.
Ngjarja në film
Gjykatësi Hardin, i lodhur nga pafuqia përballë ligjit që shpesh liron fajtorët për shkak të “boshllëqeve procedurale”, ndeshet me një grup gjykatësish që kanë krijuar një “gjykatë të fshehtë”, Gjykata e Yjeve. Ata mblidhen në një sallë të errët, vendosin në heshtje dhe urdhërojnë ekzekutimin e atyre që drejtësia zyrtare nuk arrin t’i dënojë. Në emër të moralit, ata marrin rolin e Zotit.
Në fillim, ky sistem paralel duket si një zgjidhje për padrejtësinë. Por shumë shpejt, Hardin kupton se çdo drejtësi që lind jashtë ligjit është vetëm një formë e re e padrejtësisë. Ai e sheh se dora që ndëshkon në emër të “së mirës” mund të bëhet më e errët se ajo që kriminelët përdorin për të vrarë. Në këtë pikë, filmi i Piter Hajamsit nuk është më thjesht një dramë gjyqësore — është një reflektim filozofik mbi kufijtë e moralit.
Kanti do ta quante këtë një përplasje mes detyrës morale dhe ligjit objektiv. Ai do të kujtonte se ligji është i domosdoshëm pikërisht për të na ndalur nga dëshirat tona për drejtësi personale. Dostojevski do të shtonte se kur njeriu e ndien veten mbi ligjin, e ka bërë tashmë hapin e parë drejt krimit. Të dy do të pajtoheshin se drejtësia, pa rregulla, është vetëm një pasion që kërkon hakmarrje.
Në këtë kuptim, “Gjykata e Yjeve” është një alegori e frikshme për çdo shoqëri ku besimi tek sistemi bie, dhe njerëzit nisin ta marrin drejtësinë në duart e tyre. Sepse kur drejtësia e vërtetë dështon, lind tundimi për të ndërtuar një drejtësi të re — por ajo drejtësi e re, zakonisht, lind në errësirë. Dhe errësira nuk pyet më për faj apo pafajësi.
Majkëll Dagllas, me interpretimin e tij të qetë dhe të brendshëm, sjell portretin e njeriut që përballet me krizën më të madhe morale: atë të ndërgjegjes. Në fund, ai kupton se asnjë vendim i dhënë jashtë ligjit nuk mund të quhet drejtësi, sado e drejtë të duket në sy të njerëzve.
Aludim
Nëse sot do të ekzistonte një “Gjykatë e Yjeve” moderne, ajo ndoshta nuk do të mblidhej në ndonjë sallë të fshehtë. Do të ishte në rrjetet sociale, në opinionet e shpejta, në gjykimet pa prova që shkatërrojnë jetë me një klikim. Është një formë e re e po asaj pasioni të vjetër për të ndëshkuar, pa kuptuar.
Filmi i vitit 1983 mbetet një paralajmërim për kohën tonë: drejtësia nuk është ndjenjë, është rregull. Dhe ligji, me gjithë mangësitë e tij, është ende pengesa e vetme që ndan qytetërimin nga kaosi.
Sepse, në fund të fundit, ajo që na bën njerëz nuk është dëshira për të ndëshkuar, por aftësia për të duruar derisa e vërteta të dalë vetë në dritë.
