Last Updated on 31/10/2026 by EL
Ritmi natyral i valës së protestave të dhunshme nisi të bjerë nga nata e 18 tetorit, kur protestues të maskuar, në pëprjekje për t’i ikur policisë, vrapuan për t’u fshehur në selinë e Partisë Demokratike. Qysh nga ai moment, prania e PD-së dhe Sali Berishës në protestë ka shërbyer si një lloj infeksioni që dekompozon çdo lloj domethënieje politike, në çastin që hyn në “organzëm”.
Sot pamë shfaqjen e radhës të kësaj. Deputetë dhe përfaqësues të PD-së u mblodhën fillimisht para Kryeministrisë dhe në momentin që kuptuan se ishin pak, vendosën të marshonin drejt Ministrisë së Arsimit, ku protestonte një grup studentësh dhe aktivistësh të rinj, çka e tensioni protestën dhe shkaktoi përplasje mes dy grupeve.
Ky ishte rezultat disi i pritshëm sepse katër-pesë muaj paqartësie dhe mungese të kufijëe politikë, nuk mund të çonin drejt ndonjë mrekullie.
Për një kohë të gjatë, organizatorët e Revolucionit Flamingo dhe protestave të tanishme e trajtuan gjithëpërfshirjen si virtyt në vetvete, duke bërë bashkë nën një ombrellë grupe të majta, studentë, aktivistë me rrogë, konspiracionistë dhe militant partish, me të vetmen kërkesë që të mos e shfaqnin hapur identitetin e tyre. E gjithë kjo funksionoi sepse secili mund të projektonte në mendje politikat e veta ndaj turmës, të paktën deri në momentin që partia më e madhe e opozitës vendosi të përfshihej seriozisht në radhët e protestës.
Por, ndryshe nga studentët dhe aktivistët me rrogë, PD erdhi aty me gjithë logjistikën e saj. Lëvizja horizontale e studentëve dhe aktivistëve me rrogë mund të bashkëjetonte deri në njëfarë pike me këtë lloj makinerie, deri në momentin e prishjes së ekuilibrit. Me gjithë mllefin e tyre të sinqertë ndaj opozitës së vjetër, ata harruan se Berishës nuk i intereson nëse ata e besojnë vërtet se ai ju do të mirën atyre dhe protestës. E vetmja gjë që ai dhe partia e tij kishin nevojë, ishte që të bëheshin forca më e organizuar brenda protestës. Nga ai moment, të gjitha grupimet e tjera janë të detyruara të mos bëjnë gjë tjetër veçse të reagojnë ndaj tij.
Kjo është dhe arsyeja përse prania e PD-së e ka gërryer kaq shumë protestën sepse prej dy javësh, e ka detyruar atë të mos flasë më për ndryshimet që kërkon, por vetëm të denoncojë se kush po përpiqet ta kapë atë.
E mira këtu është se me moshën, Berisha ka nisur t’i ngjajë viruseve që e kanë fazën latent shumë të shkurtër dhe i shfaqin menjëherë simptomat, çka e bën më të lehtë për t’i identifikuar dhe për t’i kontrolluar. E keqja, nga ana tjetër, është se mbetet një variant virusi tepër agresiv. Kjo do të thotë se përplasjet mes këtyre grupeve, do të jenë edhe më të ashpra në ditët në vazhdim, ndoshta derisa vetë PD të lodhet së luftuari për kontrollin e një lëvizjeje që, sa herë i afrohet, bëhet më e vogël.
Për momentin jemi në fazën kur protesta ka nisur të prodhojë antitrupat e saj. Problemi është se, në përpjekje për ta pastruar organizmin, rrezikon të “hajë” veten para se të “vrasë” infeksionin.
