Gjashtë bebe kanë ardhur në jetë përgjatë 2 viteve nga nisja e ofrimit të shërbimit të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar në të vetmen Qendër të ngritur pranë maternitetit “Koço Gliozheni” në kryeqytet.
Paketa e fertilitetit subvencionohet 100% nga buxheti i shtetit, duke i dhënë mundësi grave të bëhen nëna, në momentin që e kanë të pamundur të arrijnë një shtatzëni në mënyrë natyrale.
Sipas të dhënave të raporteve të monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë, në vitin 2024 janë trajtuar për fertilizimin in vitro 30 paciente, me një kosto totale mbi 9.8 milion lekë.
Për periudhën janar-gusht 2025 rezulton se janë trajtuar edhe 87 paciente, me një kosto totale mbi 1,6 milion lekë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 60 transfertat e realizuara, 52 prej tyre kanë realizuar procedurën, ndërkohë që 8 kanë pasur stimulim të pasuksesshëm.
Në total, për vitin 2025 Ministria e Shëndetësisë parashikon që përmes paketës falas të fertilitetit të përfitojnë 150 çifte. m.p.
