Iraku ka nënshkruar sot një marrëveshje me Turqinë, sipas së cilës projektet e infrastrukturës ujore që do të realizohen nga kompani turke do të financohen me të ardhurat nga shitjet e naftës irakiane.
Në një deklaratë nga zyra e kryeministrit të Irakut thuhet se të dy vendet kanë nënshkruar një marrëveshje mbi mekanizmin e zbatimit të bashkëpunimit për menaxhimin e ujit, e cila ishte nënshkruar fillimisht vitin e kaluar.
Qeveria irakiane do të krijojë një komitet për projektet e infrastrukturës ujore dhe do të ftojë kompanitë turke të paraqesin ofertat e tyre. Pagesat për këto projekte do të mbulohen nga të ardhurat që Iraku përfiton nga eksportet e naftës drejt Turqisë, tha zyrtari turk.
Grupi fillestar i projekteve të pritura sipas marrëveshjes përfshin tre projekte digash për mbledhjen e ujit dhe tre nisma për bonifikimin e tokës, tha një zyrtar irakian i burimeve ujore.
Marrëveshja kornizë për bashkëpunimin mbi ujin u nënshkrua në prill të vitit 2024 gjatë vizitës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Bagdad, e cila shënoi një fazë të re të marrëdhënieve më të mira midis dy fqinjëve pas viteve të tëra marrëdhëniesh të tendosura
Burimet e pakta të ujit në Irak kanë qenë prej kohësh një problem midis dy vendeve me rreth 70% të burimeve ujore të Irakut që rrjedhin nga vendet fqinje, veçanërisht nëpërmjet lumenjve Tigër dhe Eufrat, të cilët rrjedhin përmes territorit turk. m.p.
