Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për transformimin e njësive ushtarake në formacione elitare dhe të afta të mbështeten te vetja. Deklarata u bë gjatë një takimi dyditor me komandantët e kompanive ushtarake në Phenian, më 22 dhe 23 tetor, raportoi televizioni shtetëror KRT.
Gjatë fjalimit të tij, Kim theksoi se çdo njësi duhet të jetë plotësisht e përgatitur për të përmbushur objektivat e forcimit të ushtrisë në epokën e re. Takimi konfirmon prioritetin e vazhdueshëm të regjimit për rritjen e kapaciteteve ushtarake të vendit.
Në kongresin e Partisë së Punëtorëve, të mbajtur në shkurt, Kim kërkoi forcimin e forcave konvencionale, duke riafirmuar gjithashtu angazhimin për zhvillimin e armëve bërthamore dhe raketave.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve të Koresë së Jugut, Kim Jong Un ka mbërritur të shtunën në Kinë, përmes një ure të sapohapur në kufirin mes dy vendeve. Sipas një zyrtari të njohur me çështjen, kryeministri kinez Li Qiang është takuar me liderin koreano-verior në qytetin kufitar, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë ende hollësi të mëtejshme zyrtare për vizitën./mxh
