Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se mazhoranca e mbajti fjalën e dhënë për rritjen e pensioneve në vend.
Në fjalën e tij në Kuvend, Balla u shpreh se me miratimin e buxhetit të vitit 2026, që është pjesë e rendit të ditës të seancës plenare, shqiptarët do të mësojnë edhe shifrat zyrtare të pensioneve.
Balla tha se me fundvitin nuk do të merret vetëm bonusi që është traditë, por edhe më shumë.
“Kjo shumicë, Kryeministri dhe qeveria e mbajtën fjalën që iu dhanë pensionistëve dhe që populli shqiptar na besoi në shumicë si asnjëherë tjetër më 11 maj për të rritur me këtë buxhet që miratojmë sot. E dimë të gjithë se politikat e pensioneve janë më e vështirë e poliikës financiare të një vendi. Dhe ne sot jemi shumë krenarë para popullit shqiptar dhe t’ju themi se e mbajtëm fjalën e dhënë dhe sot jemi në ditën kur fillojmë të komunikojmë zyrtarisht shifrat e buxhetit. Nuk do merren vetëm bonuset që është si traditë, por edhe më shumë”,-tha Balla./ K.M
