Last Updated on 07/11/2025 by Kesjana
Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group, është kthyer këtë vit në një platformë të rëndësishme për investime strategjike dhe bashkëpunime të reja ndërkombëtare. Nga arkitektura moderne dhe teknologjia bashkëkohore, deri te industria e lehtë, panairi ka tërhequr një numër të madh sipërmarrjesh të huaja dhe vendase me synimin për të zgjeruar praninë e tyre në tregun shqiptar.
Në këtë edicion, kompanitë e huaja shfaqën interes të veçantë për investime në infrastrukturë, energji dhe zhvillim urban, ndërsa sipërmarrësit shqiptarë prezantuan projekte të reja me vizion avangard dhe inovativ.
Julian Beqiri, Arkitekt në Kompaninë Klark & Herzog de Meuron tha se “ është hera e parë që Klark dhe Herzog de Meuron marrin pjesë në Panairin e Klik Ekspo Grup dhe është një moment i rëndësishëm, sepse prezantojmë një nga veprat më prestigjioze që do të ndërtohen së shpejti në Tiranë”.
“Në një kohë kur Tirana po zhvillohet me ritme të reja dhe po ndërton identitetin e saj bashkëkohor, Klar vjen me një projekt që pritet të bëhet simbol i këtij transformimi urban. Alana’s Tower by Herzog de Meuron është një ndërtesë që bashkon vizionin vendas me eksperiencën ndërkombëtare të një prej studiove më prestigjioze të arkitekturës në botë”, u shpreh Beqiri.
Ai tha se, studioja zvicerane Herzog & de Meuron njihet për standardet e larta dhe reputacionin ndërkombëtar në fushën e arkitekturës, teksa e vlerësoi panairin një mënyrë të shkëlqyer për të komunikuar jo vetëm me grupet profesionale, por edhe me publikun që dëshiron të shohë drejtimin e ri të zhvillimit urban të Tiranës.
Klark ka rreth 25 vite eksperiencë në fushën e ndërtimit dhe zhvillimit urban, me kontribut të madh në formësimin e skyline-it të Tiranës. Ndërsa Herzog & de Meuron janë për herë të parë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Projekti më i afërt i tyre është në Milano, dhe ky bashkëpunim në Tiranë shënon një standard të ri për arkitekturën shqiptare — një standard që do të mbahet e do të zhvillohet më tej. Avantazhi i bashkëpunimit me një studio ndërkombëtare është ruajtja e standardeve të larta në çdo fazë. Edhe pse ndërtimi realizohet nga kompani shqiptare, standardi do të jetë ai ndërkombëtar. Kjo është garancia që kjo kullë do të jetë unike, jo vetëm nga ana arkitektonike, por edhe në realizim. Ky projekt do të vendosë një standard të ri për tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe ndoshta në gjithë Shqipërinë.
“Ky projekt do të vendosë një standard të ri për arkitekturën e Tiranës dhe do të shërbejë si simbol i transformimit modern të qytetit,” – u shpreh Beqiri./kb
