Moska mohon t’i ketë dhënë ultimatum Uashingtonit për mbështetjen amerikane ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një interviste, deklaroi se Kremlini vetëm ka kërkuar sqarime nga Departamenti amerikan i Shtetit, pas raportimeve në mediat perëndimore për financime, armë dhe inteligjencë për Ukrainën.
“Jo, nga ana jonë nuk ka pasur ultimatume. Ne thjesht bëmë një pyetje. Sa herë që shfaqet një informacion i tillë në mediat perëndimore, ne e përcjellim përmes kanaleve diplomatike te Departamenti amerikan i Shtetit dhe kërkojmë të konfirmohet nëse është i vërtetë”, tha Lavrov.
Lavrov thotë se kjo është bërë tre ose katër herë gjatë muajve të fundit. Por, sipas tij, Uashingtoni nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto kërkesa.
Ministri i Jashtëm rus, foli edhe për rolin e Britanisë së Madhe në konfliktin në Ukrainë, duke e cilësuar atë si jashtëzakonisht negative.
“Roli i Britanisë është jashtëzakonisht negativ. Kështu është edhe kur bëhet fjalë për Rusinë. Ky është rasti edhe kur bëhet fjalë për shumicën e të tjerëve, nuk do të thoja partnerë, por përkundrazi “bashkëudhëtarë” të Britanisë, sepse ajo nuk ka pasur kurrë aleatë të përhershëm”, shtoi ai.
Deklaratat vijnë pas vendimit britanik për ti dhënë Ukrainës akses në teknologji të klasifikuar për prodhimin e raketave me rreze të gjatë Storm Shadow./mxh
