Kur bëhesh prind, këshillat vijnë nga çdo drejtim. Dikush të tregon si duhet të flejë bebi, dikush tjetër çfarë nuk duhet të bësh “kurrë”, ndërsa një tjetër ka formulën perfekte për çdo problem që mund të të dalë përpara. Gjithë kjo zhurmë mund të të bëjë edhe më konfuz se më parë.
Prandaj një pyetje e thjeshtë e postuar në Threads u kthye në një nga ato diskutime që ia vlen t’i lexosh deri në fund: “Baballarë, cila është këshilla më e mirë dhe më e pazakontë që do t’i jepnit një babai të ri?” shkroi dikush.
Postimi mori pothuajse 2,000 përgjigje dhe, mes humorit, historive personale dhe këshillave praktike, doli një listë e sinqertë.
Një nga mesazhet që u përsërit më shumë ishte: nuk ke pse të jesh gjithmonë i fortë. Një baba e formuloi kështu: “Burrave u thuhet që të jenë të fortë, por kjo nuk do të thotë të jenë stoikë.” Prindërimi mund të jetë rraskapitës, emocional dhe ndonjëherë dërrmues, ndaj të pranosh se ke nevojë për ndihmë, një pushim apo thjesht të flasësh me dikë nuk të bën më pak baba.

Një tjetër këshillë shumë e sinqertë ishte të ulësh pak pritshmëritë, sidomos gjatë vitit të parë. Foshnjat janë më rezistente nga sa duken dhe nuk ka nevojë që çdo gjë të bëhet në mënyrë perfekte. Sigurisht, siguria mbetet prioritet, por prindërimi nuk është një test ku çdo gabim i vogël do të thotë se ke dështuar.
Disa nga komentet më të bukura kishin të bënin me partneren. Një baba shkroi thjesht: “Bëji foto mamit me bebin. Shumë.” Sepse shpesh nënat përfundojnë me mijëra foto të fëmijës dhe partnerit, por shumë pak ku janë vetë në kornizë. Edhe nëse në atë moment ajo mendon se duket e lodhur apo nuk është “gati për foto”, vite më vonë ato imazhe do të kenë një vlerë krejt tjetër.
Po kaq e drejtpërdrejtë ishte edhe një tjetër këshillë: mos pyet vazhdimisht “çfarë mund të bëj?”. Shiko çfarë duhet bërë dhe bëje. Nëse ka enë për të larë, laji. Nëse rrobat duhen futur në lavatriçe, futi. Nëse bebi duhet ndërruar, ndërroje. Sepse edhe të mendosh, të organizosh dhe të delegosh është punë më vete.

Një baba me gjashtë fëmijë e përmblodhi këtë ide edhe më shkurt: “Ndërro sa më shumë pelena që mundesh.” Një tjetër shtoi se, sidomos në periudhën pas lindjes, nëse ti je i lodhur, ka shumë gjasa që partnerja jote të jetë edhe më e lodhur. Prandaj kujdesi nuk duhet të fokusohet vetëm te bebi, por edhe te nëna: gatuaj, pastro, sigurohu që të ketë ujë, ushqim dhe pak kohë për veten. Dhe, siç tha dikush me humor, mos ia ndërprit dushin nëse nuk është *absolutisht* e nevojshme.
Një tjetër temë që doli shpesh ishte marrëdhënia mes çiftit. Netët pa gjumë, lodhja dhe gjithë ndryshimi që sjell një bebe mund ta bëjnë shumë të lehtë që partnerët të kthehen kundër njëri-tjetrit. Këshilla ishte të kujtoni se jeni në të njëjtën skuadër. Flisni qartë, thoni kur jeni të rraskapitur, kur keni nevojë për ndihmë dhe kur diçka nuk po funksionon, në vend që të prisni që tjetri ta kuptojë vetë.
Edhe lidhja me bebin nuk është gjithmonë si në filma. Një nga baballarët theksoi se është në rregull nëse nuk ndien menjëherë atë dashurinë e madhe dhe të menjëhershme për të cilën flasin të gjithë. Për disa prindër, ajo lidhje ndërtohet gradualisht, mes ushqyerjeve, netëve pa gjumë, ndërrimit të pelenave dhe të atyre momenteve të vogla të përditshme.
Sigurisht, pati edhe këshilla praktike, nga ato që kupton vlerën vetëm pasi të bëhesh prind. Për shembull: mbaj gjithmonë rroba rezervë. Aksidentet me pelenat mund të ndodhin kudo dhe, herë pas here, rrobat rezervë mund t’i duhen jo vetëm bebit, por edhe ty.
Një tjetër ide që mori vëmendje ishte mënyra e përgatitjes së krevatit: vendos një mbrojtëse dysheku, një çarçaf, pastaj një tjetër mbrojtëse dhe një tjetër çarçaf. Nëse ndodh një aksident gjatë natës, heq shtresën e parë dhe ke menjëherë një krevat gati. Në orën 3 të mëngjesit, ky mund të duket si shpikja më e mirë në botë.

Dikush sugjeroi edhe një dritë të vogël që kapet te karroca për shëtitjet e natës, ndërsa një tjetër paralajmëroi se sapo të mendosh se bebi “nuk di ende të rrokulliset”, ka shumë mundësi që pikërisht atë ditë të vendosë të të surprizojë. Me pak fjalë, mos e lër në krevat, divan apo sipërfaqe të ngritura vetëm sepse deri dje nuk lëvizte.
Një këshillë tjetër ishte të hapësh një adresë emaili për fëmijën dhe, gjatë viteve, t’i dërgosh foto, kujtime dhe histori të vogla, për t’ia dhënë kur të rritet. Është një ide shumë e bukur, me kusht që aksesi dhe privatësia të ruhen mirë.
Disa nga komentet më të mira kishin më pak lidhje me “truke” dhe më shumë me mënyrën si e sheh fëmijën. Një baba shkroi: “Vajza jote nuk po të vështirëson ty ditën; ajo vetë po kalon një moment të vështirë.” Një bebe apo një fëmijë i vogël që qan, bërtet apo shpërthen nuk po përpiqet domosdoshmërisht të të manipulojë; thjesht nuk di ende si të përballojë atë që po ndien.
Kishte edhe një këshillë tjetër po aq të rëndësishme: edhe baballarët mund të kenë vështirësi emocionale pas ardhjes së një fëmije. Ankthi, stresi, ndjesia e shkëputjes apo depresioni pas lindjes nuk janë përvoja që prekin vetëm nënat. Nëse diçka nuk ndihet siç duhet, të kërkosh ndihmë është pjesë e kujdesit për familjen, jo shenjë dobësie.
Mes gjithë këshillave serioze, sigurisht nuk mungoi as humori. Një baba paralajmëroi të mos ia tregosh shumë herët fëmijës videon e dasmës, sepse mund të fillojë të qajë ngaqë nuk ishte i ftuar. Një tjetër rekomandoi syze dielli për bebe jo sepse janë domosdoshmëri, por thjesht sepse “duken shumë cool”.

Kjo ishte e veçanta e gjithë diskutimit: askush nuk po përpiqej të shiste formulën e prindit perfekt. Baballarët po flisnin për gjërat që i kishin mësuar duke gabuar, duke qenë pa gjumë, duke qeshur me situata absurde dhe duke u përpjekur të ishin pak më të mirë ditën tjetër.
Një nga komentet e fundit e përmblidhte bukur gjithë këtë. Gjatë 90 ditëve të para, kujdesu fort për nënën dhe bebin. Kërko ndihmë kur ke mundësi, sigurohu që partnerja të ushqehet dhe të pushojë sa të mundet dhe thuaji shpesh se po bën një punë të mirë.
Nuk ke nevojë të jesh prindi perfekt. Mjafton të jesh aty./mxh
