Ngjarja makabër në Skourta të Greqisë ku u gjet i karbonizuar trupi i një personi brenda një automjeti të djegur, ende vazhdon të jetë mister. Dyshohet se trupi i djegur i përket një shqiptari, punëtor ndërtimi në zonë, ndërsa pak kohë më parë ishte shpallur i zhdukur.
Nuk dihet ende nëse trupi i karbonizuar është shqiptari identiteti i të cilit ende nuk bëhet me dije ndërsa hetimet vijojnë. Duart i kishte të lidhura me pranga, ndërsa trupi i djegur totalisht në sediljen e pasme të automjetit.
Në pamjet të parë, një ngjarje e mirëorganizuar kriminale ndërsa priten analizat policore për të zbuluar përmes familjarëve nëse kemi të bëjmë me vrasje të shqiptarit që u zhduk pak ditë më parë.
Nga pamjet e publikuara makina u gjet në një vend jashtëzakonisht të izoluar, ku mund të shkohej vetëm përmes një rrugë rurale në gjendje të keqe.
Protothema.gr, raporton se ndërtuesi shqiptar u largua nga Vilia dhe shkoi në Skourta, me makinën e tij, e cila ishte e braktisur në fshat.
Ndërkohë pritet të merret ADN-ja nga të afërmit e shqiptarit dhe nga trupi i gjetur i dekompozuar për të parë nëse janë identikë. Makina rezulton se ishte vjedhur nga zona e Glyfadës dhe kishte targa të falsifikuara.
Zgjedhja e vendit, prangosja e viktimës dhe më pas djegia e automjetit, ka nxitur dyshimet se është një ngjarje e mirëorganizuar kriminale.
Ende nuk ka asnjë detaj konkret mbi autorët apo viktimën, ndërsa autoritetet greke vijojnë hetimet për të hedhur dritë mbi ngjarjen makabër. m.p.
