Gjykata Kushtetuese po humb pavarësinë e vet, duke tjetërsuar rolin e saj në raport me procesin e vettingut. Avokati Eugen Beçi në një sqarim të gjatë ngre një pikëpyetje të madhe: si është e mundur Gjykata Kushtetuese, organi më i lartë juridik i shtetit shqiptar, pranon me vendim që në dhomën e këshillimit të vet të ketë të pranishëm një vëzhgues të huaj, apo një palë monitoruese të jashtme?
Gjithçka është zbardhur me vendimin e marrë në 2 nëntor, ku në një aneks të vendimit, që në dukje është procedurial, gjykata shkel hapur çdo parim të shtetit të së drejtës dhe parimet e ndarjes së pushteteve.
“Kulmi i absurditetit juridik? Neni 5 i këtij aneksi!
Atje parashikohet që vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së të jenë të pranishëm edhe në dhomën e këshillimit gjatë marrjes së vendimit!
Si mund të jetë i pranishëm një vëzhgues i huaj (apo palë monitoruese e jashtme) në shenjtëroren e vendimmarrjes së gjyqtarëve kushtetues – aty ku zhvillohet debati i fshehtë, i pavarur dhe konfidencial i trupës gjykuese? Kjo nuk është më kontroll kushtetues; kjo është tjetërsim i hapur i rolit të Gjykatës Kushtetuese në një gjykatë të posaçme ad-hoc, ku pavarësia e gjyqtarit dhe fshehtësia e dhomës së këshillimit shkelen me dy këmbë.
Kuvendi ka detyrimin kushtetues ta shfuqizojë këtë regjim dhe jo ta lejojë të përjetësohet përmes anekseve të brendshme që kthejnë përkohshmërinë në të përhershme. Siguria juridike nuk mbrohet duke instaluar gjykata paralele nën rrogoz!” shkruan avokati.
Mbarimi I mandatit të Komisionit të Pavarur të Apelimit përfundoi në 17 qershor 2026. Pas këtij afati, regjimi kalimtar I vetingut duhet të kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë sipas nenit 179/b, pika 9, të Kushtetutës.
“Por çfarë bën Gjykata Kushtetuese? Përmes Vendimit Nr. 13, datë 2.11.2026, ajo miraton një aneks procedural që jo vetëm mban gjallë procedurat e rivlerësimit, por shkel hapur çdo standard të shtetit të së drejtës dhe parimit të ndarjes së pushteteve” shkruan avokati.
ONM është një strukturë ndërkombëtare e krijuar në kuadër të reformës në drejtësi, për të monitoruar procesin e rivlerësimit kalimtar (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve. ONM mbështetet nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të monitorimit ndërkombëtar të reformës në drejtësi.
ONM nuk është gjykatë dhe nuk merr vetë vendime për shkarkimin apo konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimmarrja u takon institucioneve shqiptare të vettingut.
