10 nëntor 1928 – Romë, Itali
Me 500 kompozimet e tij ai do të rreshtohej përkrah Bethovenit e Mozartit, por kolonat zanore të filmave i dhanë famën e jashtëzakonshme
Nga Leonard Veizi
Kishte një talent të pamasë. Por pa dyshim, kinemaja i dha një famë të jashtëzakonshme, edhe pse ai vetë do të kishte dëshiruar të arrinte të njëjtin sukses edhe me pjesët që kishte kompozuar jashtë saj. Megjithatë, industria e filmit është shpesh shtypëse dhe merr vëmendjen e spektatorëve pa fund. Gjithsesi, ai ishte një nga ata kompozitorë, emri i të cilëve u ngulit thellë në memorien kolektive. Kjo, ose sepse filmat ishin tepër të suksesshëm dhe emri i tij, si autor i kolonës zanore, u fiksua shpejt krahas atij të regjisorit e aktorëve kryesorë, ose sepse ai ilustroi me muzikën e tij aq shumë filma, sa që ishte e pamundur që emri i tij të mos mbetej në kujtesë…
…Po t’u përmendësh emrin e Enio Morrikones, shumë shqiptarë do ta lidhin atë me filmin “Për një grusht dollarë”, një prodhim i vitit 1964 nga regjisori i famshëm italian Serxho Leone, me interpretimin e jashtëzakonshëm të aktorit amerikan Klint Istvud. Pra, mjaftonin vetëm këta tre emra për të nxjerrë në dritë një film të paharruar. Në rastin më të mirë, duke zgjeruar gamën, emri i Morrikones mbahet mend edhe për kolonat zanore të shumë filmave spageti uestern, shumica e të cilëve në bashkëpunim me të njëjtin regjisor.
Por për shqiptarët, emri i Enio Morrikones është i lidhur edhe me filmin “La Piovra”, një nga më të ndjekurit, sidomos gjatë periudhës izolacioniste në vend, kur ky serial shihej si një dritare drejt botës perëndimore. Po aq i njohur ishte edhe për filmin “Zhos profesionisti”, ku luante ylli i kinemasë franceze Zhan Pol Belmondo.
Megjithatë, shumë më pak njerëz e dinë se ai ka shkruar muzikën edhe për filma më të famshëm, si p.sh. “Na ishte një herë Amerika” — filmi i fundit i Serxho Leones, që kritika e cilëson si kryeveprën e tij më të madhe. “Muzika është e domosdoshme, sepse filmat e mi praktikisht mund të jenë filma të heshtur, me pak dialog; kështu muzika nënvizon veprimet dhe ndjenjat më shumë se fjalët,” është shprehur vetë regjisori Leone.
Morrikone bashkëpunoi edhe me regjisorë të tjerë të mëdhenj, nga Bertoluçi te Karpenter. Ndër bashkëpunimet e fundit më të suksesshme janë ato me regjisorin Kuentin Tarantino, i cili pas filmit “Të urryerit tetë” apo siç njihet në orgjinal “The Hateful Eight”, e cilësoi Morrikonen “artist me më shumë talent se Bethoven apo Mozart”.
Enio Morrikone është ndoshta kompozitori më i famshëm i filmit të shekullit XX. Ai është gjithashtu ndër kompozitorët më pjellorë, që ka punuar pothuajse në çdo medium, ndërsa veprat e tij filmike përfshijnë çdo stil muzikor të imagjinueshëm.
Morrikone filloi të studionte muzikë në Konservatorin e Romës “Santa Çeçilia” në moshën 12-vjeçare. I nxitur nga instruktorët e tij të përqendrohej në kompozim, ai e mbështeti veten duke luajtur trumbetë në banda xhazi dhe më pas punoi për radion kombëtare italiane pas diplomimit.
Ai u bë i njohur për kolonat zanore të shumë filmave italianë dhe të kinemasë botërore, duke u klasifikuar si një nga kompozitorët më të talentuar e më prodhimtarë të kohës së tij. Kompozoi mbi 400 pjesë për filma e seriale televizive dhe mbi 100 vepra klasike. Në të vërtetë, rreth 30 filmat e zhanrit uestern janë ata që e bënë aq shumë të njohur.
Morrikone u vlerësua me çmimin “Oskar” për kolonën zanore të filmit “Të urryerit tetë”, prodhim i vitit 2016. I njohur si “Maestro”, ai kishte marrë më parë një Oskar nderi në vitin 2007 për “kontributet e tij madhështore dhe të shumanshme në artin e muzikës së filmit”. Gjatë karrierës së tij të gjatë u nominua për 91 çmime kombëtare e ndërkombëtare, prej të cilave fitoi 83, ndër to 3 çmime “Grammy”, 4 “Golden Globe” dhe 6 “BAFTA”.
Kolona zanore e filmit “I miri, i keqi dhe i shëmtuari” (1966) konsiderohet si një nga tingujt më me ndikim në historinë e filmit. Morrikone ka ndikuar në shumë artistë e zhanre muzikore, përfshirë Han Zimer, grupin Dajer Strejts, grupin Metalika e shumë të tjerë.
Kompozitori i famshëm lindi në Romë më 10 nëntor 1928. Ishte një banor i përjetshëm i kryeqytetit italian dhe vdiq po aty më 6 korrik 2020, në moshën 91-vjeçare.
Në testamentin e tij, Morrikone kishte shkruar: “Unë nuk dua të shqetësoj.”
