Bota e basketbollit amerikan është zgjuar në shok pas lajmit për vdekjen e papritur të Brandon Clarke. Basketbollisti i Memphis Grizzlies ndërroi jetë në moshën 29-vjeçare, ndërsa rrethanat e ndarjes së tij nga jeta mbeten ende të paqarta.
Lajmi u konfirmua nga skuadra e Memphis Grizzlies dhe agjencia që e përfaqësonte, “Priority Sports”, të cilat shprehën dhimbjen për humbjen e sportistit kanadez, pa dhënë informacione shtesë mbi shkakun e vdekjes.
Sipas mediave amerikane, hetimet janë ende në zhvillim. NBC4 raportoi se autoritetet po verifikojnë pistën e një mbidoze të mundshme, pasi në ambientin ku u gjet basketbollisti dyshohet se kishte substanca narkotike dhe sende të lidhura me përdorimin e tyre.
Ndërkohë, ABC News bëri të ditur se deri tani nuk ka prova që sugjerojnë përfshirje të personave të tjerë apo elementë kriminalë në këtë rast.
Emri i Clarke ishte përfshirë edhe muajin e kaluar në një incident me policinë në Arkansas. Sipas raportimeve, ai ishte arrestuar pasi dyshohej se kishte tentuar t’u largohej forcave të rendit gjatë një ndjekjeje me makinë. Pas arrestimit, basketbollisti u përball me akuza për shmangie nga policia dhe posedim të një substance të ndaluar.
Çështja ndaj tij ishte ende aktive dhe ai pritej të dilte para gjykatës më 15 maj.
Karriera e Clarke në NBA ishte ndikuar së fundmi nga problemet fizike dhe dëmtimet, duke bërë që këtë sezon të luante vetëm në dy ndeshje me Memphis Grizzlies. Pavarësisht kësaj, ai kishte ende një vit kontratë me ekipin, me një vlerë të raportuar prej 12.5 milionë dollarësh./mxh
