Zgjedhjet e kësaj të diele në pesë bashkitë e vendit janë duke vijuar pa incidente, por me një pjesëmarrje të ulët të votuesve.
Sipas të dhënave të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 15:00, rreth 14.93% e qytetarëve i janë drejtuar kutive të votimit, ndërkohë vihet re një “bojkot” nga ana e të rinjve.
Mesa duket grup-mosha 18-24 vjeç, kanë treguar mosinteresim, ndërkohë ata që i janë drejtuar me “vrap” kutive të votimit kanë qenë të moshuarit.
I pyetur lidhur me këtë mungesë interesimi të së rinjve në këtë proces, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u përgjigj duke thënë se ashtu sikurse dhe në vende të tjera të Europës dhe në Shqipëri të rinjtë janë duke shkuar pas “trendit”.
“Tani sa i përket pjesëmarrjes së ulët të votuesve që i përkasin grupmoshës 18-24 është një trend edhe në vendet e tjera, kjo grupmoshë nuk është se ka interes të madh për të qenë të aktivizuar në procese politike. Mesa duket edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend europian global, nuk është çështje e asaj çfarë ka bërë KQZ se ne kemi bërë shumë për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në procesin zgjedhor, por mesaduket edhe partitë politike vet, edhe organizatat duhet të punojnë më shumë në spektin e nxitjes së kësaj grupmoshe për të qenë s më të interesuar”, tha kreu i KQZ. m.p.
