Last Updated on 09/11/2025 by Kesjana
Marka e njohur shqiptare e ëmbëlsirave të shëndetshme “Shëndet ëmbël”, e themeluar nga gazetarja dhe sipërmarrësja Aulona Musta, mori pjesë për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës (TIF 2025), organizuar nga Klik Ekspo Group, duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve me produktet e saj inovative dhe konceptin unik të ëmbëlsirave pa sheqer, pa gluten dhe pa laktozë.
Në një intervistë gjatë panairit, Musta tregoi se ideja për “Shëndet ëmbël” ka lindur nga përvoja e saj personale dhe dëshira për të ofruar një alternativë të shëndetshme për konsumatorët.
“Shëndet ëmbël” lindi nga nevoja personale, por edhe e tregut. Për mua, ëmbëlsirat kanë qenë pika ime e dobët. Duke kërkuar një zgjidhje në shtëpi për veten time, mendova pse të mos e ofroj edhe për tregun”? u shpreh Musta.
Ajo theksoi se produktet e markës janë 100% të pastra dhe të shëndetshme, pa përbërës artificialë dhe të përshtatshme për të gjitha grupmoshat.
Duke parë sa i dëmshëm është sheqeri, por duke ditur se ëmbëlsirat janë një nga kënaqësitë më të mëdha, produktet tona janë pa laktozë, pa gluten, pa ngjyrues e pa konservantë. Mund të konsumohen nga fëmijët deri te moshat e treta”
Sipas saj, tregu shqiptar ka ende hapësirë të madhe për produkte të këtij lloji.
“Jemi ndër të parat dhe të paktat që ofrojmë ëmbëlsira të tilla. Edhe pse nevojat janë të mëdha, konkurrenca është ende e ulët, por konkurrenca të ndihmon të zhvillohesh”, tha ajo.
Musta tregoi se rruga e “Shëndet ëmbël” nisi si një biznes online, për t’u zgjeruar më pas me dyqane fizike në Tiranë dhe Durrës, ndërsa kërkesa po vjen gjithnjë e më shumë edhe nga Kosova dhe komunitetet shqiptare në vendet e tjera.
“E nisëm online, më pas hapëm një dyqan fizik në Tiranë dhe një tjetër në Durrës. Kemi pasur kërkesa edhe nga shqiptarë në Kosovë e jashtë vendit, gjë që na motivon shumë”, tha sipërmarrësja Aulona Musta.
Kjo ishte pjesëmarrja e parë e markës në Klik Ekspo Group, që për Mustën përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e biznesit të saj.
“Është hera e parë që marrim pjesë në panairin e Klikut. Është një mundësi shumë e mirë për t’u njohur, për të vendosur kontakte të reja dhe për planet që kam në të ardhmen. Ne konkurruojmë me cilësinë, kjo është pika jonë më e fortë”, u shpreh ajo.
‘Windows into the Future” – Shqipëria 2030 në fokus
Edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës (TIF 2025), i hapur nga 5 deri më 8 nëntor në Pallatin e Kongreseve, erdhi këtë vit me moton “Windows into the Future”, duke reflektuar vizionin strategjik të zhvillimit të Shqipërisë drejt objektivave të “Shqipëria 2030”.
Në këtë edicion morwn pjesë rreth 250 kompani vendase dhe ndërkombëtare, të cilat prezantuan produktet, inovacionet dhe teknologjitë më të fundit në një ekspozitë katërditore.
Në qendër të panairit qëndroi koncepti i “dritareve drejt së ardhmes”, një hapësirë ku vizitorët përjetojnë përmes projeksioneve 3D dhe eksperiencave multisensoriale projektet që po transformojnë Shqipërinë në dekadën e ardhshme./kb
