Last Updated on 10/11/2025 by Monika
Pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli në një deklaratë për mediat nga selia blu.
Berisha njoftoi se ditët në vijim, Partia Demokratike do të vendosë një platformë proteste para Kryeministrisë, për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Berishës, kjo “platformë” do të ketë dy qëllime kryesore. Së pari, kërkesën ultimative për largimin e Ramës dhe Ballukut, dhe së dyti, sensibilizimin e qytetarëve për, siç tha ai, “korrupsionin më të rëndë në historinë e vendit”.
Berisha shtoi se kjo nismë do të zhvillohet në ditë të caktuara, më së shumti të enjten, ndërsa datat konkrete do të përcaktohen nga një grup pune i posaçëm brenda PD-së.
Kreu i demokratëve theksoi gjithashtu se ky është vetëm hapi i parë drejt një proteste kombëtare, që pritet të organizohet në vijim.
Sipas tij, vendosja e platformës para Kryeministrisë është simbolike, pasi aty ndodhet jo vetëm zyra e kryeministrit, por edhe ajo e zëvendëskryeministres Balluku.
Berisha e quajti Ramën dhe Ballukun “dyshen me famën më të zezë në historinë e korrupsionit në Shqipëri”./ MXH
