Last Updated on 10/11/2025 by EL
Ish-kryeministri dhe lideri demokrat Sali Berisha është përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit të Shqipërisë, duke përfshirë seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Në Sekretariatin e Etikës ka qenë dhe Balla, me të cilin Berisha pati përplasje në seancën e kaluar.
Me marrjen e vendimit, kreu i grupit të PS thumbon kundërshtarin politik, duke cituar një thënie të urtë, që sipas tij thotë “Kush di të ruajë gjuhën, di të ruajë nderin”.
Sipas Taulant Ballës, etika parlamentare është themeli i besimit publik ndaj institucioneve demokratike dhe kërkon që çdo deputet të veprojë me ndershmëri, përgjegjësi dhe respekt ndaj Kushtetutës, rregullores dhe kolegëve.
Shënimi i plotë i Taulant Ballës:
Sot në Sekretariatin për Procedurat, Votimet dhe Etikën lidhur me kërkesën e shtatë deputetëve. Ka një thënie të urtë, e cila më ka mësuar të kalis durimin dhe sjelljen, e cila thotë se “Kush di të ruajë gjuhën, di të ruajë nderin.” Etika parlamentare është themeli i besimit publik ndaj institucioneve demokratike.
Ajo kërkon që çdo deputet të veprojë me ndershmëri, përgjegjësi dhe respekt ndaj Kushtetutës, rregullores dhe kolegëve. Debati parlamentar nuk duhet të jetë arenë fyerjesh, por hapësirë e dialogut dhe e argumentit.
Respekti për fjalën, për të vërtetën dhe për qytetarët që përfaqësojmë është thelbi i një Kuvendi dinjitoz dhe europian. Përpjekja për të patur seanca dhe komisione parlamentare ku asnjë deputet nuk është mbi rregullat dhe normat e respektit reciprok, do t’i ndryshojë faqen Kuvendit dhe do të rrisë besimin e qytetarëve.
